Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Meta: Një akt që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet i burgosur politik pas urdhrit të Edi Ramës, ka reaguar pas ekzekutimit të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, duke e cilësuar ngjarjen si një akt terrorist që godet shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.
Në deklaratën e tij, presidenti i PL, Ilir Meta shprehet:
Ekzekutimi i gjyqtarit në krye të detyrës, Astrit Kalaja brenda Gjykatës së Apelit është një akt terrorist që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.
Ky krim shumë i rëndë, që meriton ndëshkim të ashpër ligjor nuk është rastësor, por rezultat i inkriminimit të Qeverisë me segmente të krimit, që ka sjellë dështimin për të garantuar rendin dhe sigurinë e jetës.
Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes Kalaja dhe kolegëve gjyqtarë, shpreh bindjen e thellë se zgjimi kombëtar për të mposhtur frikën nga krimi që ka kapur shtetin është e vetmja rrugë për të garantuar sigurinë e jetës dhe rikthyer shtetin e së drejtës.