Ministri i ri i Drejtësisë pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja: Do ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje!
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi këtë të hënë, 6 tetor, në ambientet e Gjykatës së Apelit Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, ndërsa mbetën të plagosur edhe dy persona.
Ministri Lamallari e ka cilësuar ngjarjen si një sulm të rëndë kriminal ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë shqiptare. Po ashtu ai deklaroi se siguria e njerëzve të drejtësisë është një “vijë e kuqe” që askush nuk duhet ta kalojë dhe theksoi vendosmërinë e shtetit për të mbrojtur këtë parim “me çdo çmim”. Ai paralajmëroi ashpërsim të dënimeve për armëmbajtjen pa leje në kuadër të Kodit të ri Penal.
REAGIMI I PLOTË I MINISTRIT
Sulmi vdekjeprurës me armë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Astrit Kalaja është sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.
Ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit dhe siguria e jetës dhe integritetit fizik të njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë e që shteti do ta mbrojë me vendosmëri e me çdo çmim.
Vrasja e gjyqtarit Kalaja në krye të detyrës është një akt kriminal që meriton ndëshkimin më të ashpër me të gjithë forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cënojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Paralelisht me nevojën e rishikimit e sistemit të sigurisë së brendshme nëpër gjykata, pashmangshmërisht duhet të ashpërsojmë dënimin për armëmbajtjen pa leje në Kodin e ri Penal, për të cilin tashmë kemi nisur konsultimin publik. Armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot.
Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve. Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë.
Në këto momente të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e gjyqtarit të ndjerë Astrit Kalaja, për të afërmit, kolegët e tij dhe për të gjithë trupën gjyqësore. I uroj shërim të shpejtë dy personave të tjerë të mbetur të plagosur nga ky akt kriminal. U prehsh në paqe i nderuar gjyqtar Kalaja!