Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Xhixho: Një atentat ndaj sistemit të drejtësisë, shteti shqiptar nuk garanton siguri, as brenda institucioneve...

Pas ngjarjes tronditëse në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja mbeti i vrarë gjatë ushtrimit të detyrës, ka reaguar edhe zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Xhixho e cilësoi ngjarjen si një akt të paprecedent dhe tronditës për sistemin e drejtësisë shqiptare.

“Vrasja e një gjyqtari brenda një salle gjyqi është akti më i rëndë dhe më tronditës që ka ndodhur ndonjëherë në një institucion të drejtësisë shqiptare. Ky krim barbar nuk është vetëm një sulm ndaj një individi, por një atentat i drejtpërdrejtë ndaj vetë sistemit të drejtësisë si pushtet i pavarur,” – shkruan Xhixho.

Ajo thekson se ngjarja tregon mungesën e sigurisë dhe dobësimin e autoritetit të shtetit:

“Ngjarja e sotme është dëshmia më e dhimbshme dhe më alarmante e faktit që shteti shqiptar nuk garanton më siguri, as brenda institucioneve më të larta të tij. Ajo nxjerr në pah rënien dramatike të autoritetit të ligjit dhe mungesën e plotë të kontrollit të shtetit ndaj dhunës.”

Xhixho shprehu ngushëllimet për familjen e gjyqtarit të ndjerë, kolegët e tij dhe gjithë trupën gjyqësore, duke theksuar se “sot drejtësia është në zi, por bashkë me të edhe shteti ligjor”.

Në fund të reagimit të saj, ajo dënoi çdo akt vetëgjyqësie, duke e konsideruar atë një kërcënim serioz ndaj themeleve të shoqërisë demokratike:

“Çdo akt vetëgjyqësie është një atentat i rëndë jo vetëm ndaj jetës së një individi, por edhe ndaj drejtësisë dhe vlerave të një shoqërie demokratike. Është e domosdoshme të garantohet siguria e gjyqtarëve në institucionet ku ata ushtrojnë detyrën dhe njëkohësisht të dekurajohet çdo përpjekje për vetëgjyqësi.”

Postimi i plotë:

Vrasja e një gjyqtari brenda një salle gjyqi është akti më i rëndë dhe më tronditës që ka ndodhur ndonjëherë në një institucion të drejtësisë shqiptare. Ky krim barbar nuk është vetëm një sulm ndaj një individi, por një atentat i drejtpërdrejtë ndaj vetë sistemit të drejtësisë si pushtet i pavarur.

Ngjarja e sotme është dëshmia më e dhimbshme dhe më alarmante e faktit që shteti shqiptar nuk garanton më siguri, as brenda institucioneve më të larta të tij. Ajo nxjerr në pah rënien dramatike të autoritetit të ligjit dhe mungesën e plotë të kontrollit të shtetit ndaj dhunës.

I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së gjyqtarit të ndjerë, kolegëve të tij dhe gjithë trupës gjyqësore. Sot, drejtësia është në zi, por bashkë me të edhe shteti ligjor.
Çdo akt vetëgjyqësie është një atentat i rëndë jo vetëm ndaj jetës së një individi, por edhe ndaj drejtësisë dhe vlerave të një shoqërie demokratike.   
Është e domosdoshme të garantohet siguria e gjyqtarëve në institucionet ku ata ushtrojnë detyrën dhe njëkohësisht të dekurajohet çdo përpjekje për vetëgjyqësi!