SYRI TV/ Aksioni i IKMT në Kombinat, pritet të prishen 12 biznese, administratori: 300 punëtorë në rrugë
Aksioni i IKMT-së në Kombinat, shemben dy godina ku operojnë 12 biznese – rezistencë nga pronarët dhe punonjësit
Aksioni i IKMT-së për shembjen e dy godinave ku ushtrojnë aktivitetin e tyre 12 biznese në zonën e Kombinatit ka hasur në rezistencë të fortë nga banorët dhe pronarët. Ndër objektet që po prishen është edhe një fasoneri ku punësohen rreth 300 punonjëse.
Administratorët e fasonerisë deklaruan se pronarët e saj janë shtetas italianë dhe francezë, të cilët i janë drejtuar ambasadave respektive, pasi sipas tyre po shkelet hapur ligji. Ata theksojnë se godina është në statusin e kolateralit në bankë dhe se ka ende mbi 1 milionë euro për t’u shlyer nga kredia për blerjen e saj.
Sipas një sipërmarrësi italian, bashkëpronar në njërën nga godinat, situata është e papranueshme, duke theksuar se operojnë në këtë objekt prej 30 vitesh.
“Jam aktiv në këtë godinë që prej vitit 1997. Ajo që po ndodh është e papranueshme,” – u shpreh ai për mediat.
Dy godinat janë shembur këtë të hënë nga IKMT-ja, pavarësisht se gjykata e shkallës së parë u ka dhënë të drejtë pronarëve të objekteve. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës e ka çuar çështjen në apel, por vendimi përfundimtar ende nuk është dhënë. Në mungesë të një vendimi të formës së prerë, IKMT ka vijuar me shembjet, gjë që është konsideruar e padrejtë nga bizneset.
Administratorët e fasonerisë thanë se kanë njoftuar menjëherë pronarët në Itali dhe Francë, si dhe kanë kërkuar ndihmën e ambasadës franceze dhe mediave ndërkombëtare për të denoncuar rastin.
Ndërkohë, një tjetër pronar i një prej bizneseve që u prek nga aksioni, deklaroi se ish-drejtori i Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato, i kishte kërkuar 200 mijë euro tre vite më parë për të mos i shembur godinën.