Konflikti për pronën që përfundoi në tragjedi, ja çfarë deklarohej nga familja e ekzekutorit të gjyqtarit Astrit Kalaja disa vite më parë
Gazetari i Syri TV raporton se autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë, ku u vra gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja, dyshohet të jetë shtetasi Elvis Shkambi. Sipas informacioneve paraprake, Shkambi është ndaluar menjëherë pas ngjarjes dhe është shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranës.
Kjo histori nuk është e panjohur për publikun, pasi më herët është trajtuar në media, ku Gjon Shkambit, i ati i autorit denonconte një konflikt të gjatë pronësie në Shkodër.
Një çështje pronësie e pazgjidhur prej vitesh
Sipas emisionit “Stop”, Gjon Shkambi është pronar i një ndërtese dhe trualli në Shkodër, të cilat pretendon se i janë uzurpuar nga pala tjetër me dokumente të falsifikuara. Ai i është drejtuar gjykatës dhe ka fituar në Shkallën e Parë, por Gjykata e Apelit ia ka kthyer çështjen për rigjykim, për shkak të mungesës së dy proces-verbaleve dhe aktit të ekspertimit në dosje.
Pavarësisht se çështja ka kaluar pesë vite në Prokurorinë e Shkodrës, ajo ende nuk kishte marrë një vendim përfundimtar.
Shkambi është shfaqur në emisionet investigative si dhe kronikat e lajmeve herë pas here në të kaluarën, teksa pretendonte se 31 familje i kishin zaptuar një pallat dhe truallin në Shkodër.
Dosje e humbur dhe dokumente të munguar
Në Korrik 2020, gazetarja e emisionit “Stop” ka tentuar të ndjekë gjurmët e dosjes gjyqësore në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Shkallës së Parë, ku është përballur me mungesë dokumentacioni dhe përgjigje kontradiktore nga administrata gjyqësore.
Kryesekretarja e Gjykatës së Apelit ka konfirmuar se dosja është kthyer në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ndërsa kancelarja e kësaj gjykate ka pranuar se procesverbalet e munguar mund të jenë harruar “pa dashje”, edhe pse ato figurojnë të regjistruara në sistemin elektronik.
“Proces-verbali kapet në dosje. Thjesht është çështje harrese, pa ndonjë keqdashje. Në sistem e kam të hedhur, por fizikisht nuk gjendet,” – është shprehur kancelarja.
Një histori që ngre dyshime për drejtësinë
Rasti i Shkambit është përmendur si shembull i zvarritjeve gjyqësore dhe mangësive në administrimin e dosjeve, që shpeshherë rëndojnë konfliktet civile dhe cenojnë besimin e qytetarëve te drejtësia.
Ndërkohë, ngjarja e rëndë e ndodhur sot, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja, ka tronditur opinionin publik.