SYRI TV/ Fëmijët në emigrim, prindërit në universitet, 50-vjeçarja në auditore në prag pensioni
Zbrazja e vendit nga të rinjtë ka bërë që auditoret e universiteteve të zëvendësohen nga prindërit e tyre.
Nisja e vitit të ri akademik ka treguar se edhe këtë sezon, në universitetet shqiptare, shumë burra dhe gra mbi 50 vjeç janë rikthyer në auditore për të ndjekur programet prioritare të studimit, ku shteti ofron një bursë mujore prej 40 mijë lekësh për çdo student.
Disa prej studentëve mbi 50 vjeç tregojnë se janë rikthyer në universitet nga pasioni për dijen, por ka edhe nga ata që lënë të kuptohet se, përtej pasionit, është nevoja ekonomike ajo që i ka shtyrë të rikthehen në auditore.
Nisja e këtij viti akademik ka nxjerrë sërish në pah plagën e shpopullimit të vendit. Rënia e numrit të studentëve të regjistruar në universitete nuk është dëshmia e vetme e kësaj plage të thellë. Në shumë universitete të vendit, janë rikthyer në auditore burra dhe gra mbi 50 vjeç – pra, prindërit e atyre që duhet të ishin studentët e vërtetë.
Në Elbasan, Syri Televizion intervistoi disa zonja që janë rikthyer në universitet për të ndjekur programet prioritare të studimit, ku shteti financon studentët me një pagesë mujore prej 40 mijë lekësh. Disa prej tyre tregojnë se janë rikthyer në auditore nga pasioni, por ka edhe të tjera që e pranojnë hapur se qëllimi kryesor i aplikimit ishte përfitimi i pagesës mujore, duke nxjerrë në pah vështirësitë ekonomike me të cilat përballen shumë familje shqiptare.
Ndërkohë, edhe pse shteti financon programet prioritare për të rinjtë, në nisje të këtij viti akademik, këto degë nuk kanë pasur një numër të lartë regjistrimesh.