Rihapet ankandi i pronave të Beketit! Dyshime për “akord” mes qeverisë dhe Gjykatës së Apelit

Agjencia e Pronave të Sekuestruara ka nxjerrë sërish në shitje asetet e kompanisë “Kalivaçi Green Energy” të sipërmarrësit Italian, Francesko Beketi, vetëm pak ditë pasi anuloi në mënyrë të habitshme një procedurë të ngjashme të nisur në fillim të shtatorit të këtij viti.

 

Sipas njoftimit të publikuar këtë të Hënë të 6 Tetorit, vlera fillestare e ankandit është në shumën 21.7 milionë lekë të reja ose rreth 220 mijë euro.

Veprimet e nxituara të Agjencisë ngrenë dyshime për një lloj koordinimi ndërmjet qeverisë dhe Gjykatës së Apelit për të fundosur penalisht biznesmenin Italian, i cili është konsideruar si armik personal nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Në 1 Shtator, Agjencia e Pasurive të Sekuestruara njoftoi shpalljen e ankandit për shitjen e makinerive të rënda të kompanisë private të Beketit. Vetëm pak ditë më pas, institucioni njoftoi anulimin e procedurës, pa dhënë asnjë shpjegim.

Pak ditë pas anulimit, në 30 shtator 2025, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, i dha fund një procesi penal të nisur vite më parë kundër Beketit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për “falsifikim dokumentash” e “pastrim parash”.

Hetimi ndaj sipërmarrësit italian nisi në vitin 2015, kur kryeministri Rama, si edhe Erion Veliaj, e kërcënuan publikisht Beketin, pasi televizioni në pronësi të tij, “Agon Channel”, kishte linjë editoriale kundër qeverisë.

Gjykata e Apelit vendosi dënimin e Francesko Beketit me 12 vjet burgim. Trupa gjykuese vendosi ndër të tjera edhe “Deklarimin fajtor të personit juridik “Kalivaç Green Energy” sh.p.k...dhe ...dënimin e tij me mbarimin e personit juridik”.

Menjëherë pas këtij vendimi, Agjencia e Pronave të Sekuestruara i rikthehet sërish ankandit për shitjen e makinerive të rënda të kompanisë së Francesko Beketit.

Konflikti personal mes Edi Ramës dhe Francesko Beketit i ka kushtuar shtetit shqiptar një gjobë në shumën 110 milionë euro. Qeveria e Ramës refuzon me kokëfortësi të paguajë penalitetin, duke nxitur autoritetet e huaja që të bllokojnë llogaritë bankare të shoqërisë së fluturimeve, “Albcontrol”.