Qazim Laçi: Do të japim maksimumin për fitoren vendimtare ndaj Serbisë

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Qazim Laçi, ka folur në konferencën për shtyp në vigjilje të ndeshjes me Serbinë më 11 tetor. Ai ka theksuar rëndësinë e ndeshjes, presionin profesional që ndjen dhe ambicien për të marrë tri pikët e vendimtare në rrugën drejt Botërorit.

Sa e vështirë është të ruash balancën emocionale me atë profesionale?

Do jetë një ndeshje shumë e vështirë, mund të themi edhe vendimtare. Ne jemi profesionistë dhe jemi mësuar me presionin. Objektivi ynë është të marrim tri pikët për ëndrrën tonë për të shkuar në Botëror.

Keni kapur formën optimale, a do të ktheheni tek asistet për golin e rëndësishëm?

Kur je me Kombëtaren duhet të japësh më shumë, pasi është detyrë. Kam dhënë maksimumin me Shqipërinë dhe kështu do të vazhdoj. Shpresojmë për një fitore në Serbi.

Si përjetohet një ndeshje e tillë?

Kjo ndeshje do të ketë shumë emocione. Si profesionistë, duhet të jemi të qetë dhe të shikojmë çdo detaj. Pikërisht kjo do të bëjë diferencën.

Kush do të jetë çelësi i ndeshjes?

Ne duhet të fokusohemi te detajet dhe mënyra se si e luajmë ndaj kundërshtarit. Në takimin e parë treguam se mund të evitojmë presionin dhe kishim mundësi për fitore. Të dy ekipet do jenë të mbyllura, ndaj përqendrimi ynë do të jetë kyçi.

Luajmë me kapacitete të reduktuara dhe Serbia nuk ndodhet në gjendjen më të mirë, si i shikoni shanset për fitore?

Presim një ndeshje të fortë. Do përgatitemi për të marrë tri pikët, vendimtare për ëndrrën e Botërorit.