Serbia bën ndryshime në listë, Stojkovic thërret dy futbollistë të rinj para ndeshjes me Shqipërinë
Vetëm pesë ditë para sfidës vendimtare ndaj Shqipërisë, trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, ka vendosur të bëjë ndryshime në listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Tekniku serb ka ftuar dy emra të rinj për këtë përballje: portierin Vanja Dragojeviç, që vjen nga ekipi U-21 dhe do të ketë mundësinë të debutojë me ekipin e parë, si dhe Lazar Randjeloviç, 28 vjeç, i cili rikthehet në përfaqësuese pas një periudhe mungese.
Kujtojmë se vetëm tre ditë më parë Serbia kishte publikuar listën zyrtare të të grumbulluarve për ndeshjen me Shqipërinë, por Stojkoviç ka vendosur ta plotësojë atë me këta dy futbollistë, duke i shtuar vetes më shumë alternativa për këtë duel të rëndësishëm.
Takimi Serbi–Shqipëri do të zhvillohet të shtunën në mbrëmje, në orën 20:45, në qytetin Leskovac, dhe pritet të ketë një atmosferë të nxehtë, duke qenë një nga ndeshjet më të ndjekura të këtij edicioni eliminator.