Pas skandalit me 'Bankers Petroleum', shkolla profesionale në Fier ofron mundësi studimi, por të rinjtë tregojnë interes të pakët
Fieri, një nga zonat më të pasura me naftë në vend, dikur njihej për shkollat që përgatisnin kuadro të mesëm në industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të saj.
Pas disa vitesh ndërprerjeje, këto degë janë rikthyer nën çatinë e Shkollës së Mesme Profesionale “Petro Sota” në Fier, por interesi i të rinjve për të vijuar këtë drejtim nuk është ai që pritej.
Lajmet pozitive nga kërkimet në pusin e Shpiragut kishin sjellë më parë optimizëm dhe një fluks regjistrimesh, por pas situatës së krijuar rreth kompanisë Bankers Petroleum në Marinzë, për herë të parë pas disa vitesh, dega e naftës nuk u hap për mungesë nxënësish.
Drejtoresha e shkollës, Arta Leka, konfirmon këtë fakt, duke shtuar se shteti mbështet financiarisht nxënësit që ndjekin degët e naftës, si në arsimin e mesëm ashtu edhe në atë të lartë. Sipas saj, shumë prej të diplomuarve tashmë janë të punësuar në kompani publike dhe private të sektorit të naftës, brenda dhe jashtë vendit.
Edhe inxhinieri i naftës, Bledi Lamkaj, thekson se interesi nuk mungon plotësisht. Nxënës nga Fieri, Patosi, Mallakastra dhe zona të tjera naftëmbajtëse vijojnë të studiojnë këtu, ndërsa një pjesë e mirë vazhdojnë studimet e larta në këtë fushë.
Nxënësit e degës thonë se e kanë zgjedhur këtë drejtim me dëshirë, edhe pse shumë prej tyre nuk vijnë nga familje të lidhura me industrinë e naftës. Për ta, kjo është një mundësi për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe me pagesë të mirë, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj.
Dikur, shkollat profesionale për industrinë e naftës funksiononin në Patos, Kuçovë dhe Ballsh, por u mbyllën për mungesë interesi dhe rënien e vëmendjes ndaj një industrie që për dekada ka qenë shtylla e ekonomisë shqiptare.
Sot, shkolla “Petro Sota” përpiqet ta mbajë gjallë këtë traditë, me shpresën se rigjallërimi i industrisë do të sjellë sërish më shumë të rinj që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në nëntokën e pasur të Fierit.