Asistentja e ish-menaxherit të Fondit Soros jetonte në luks e joshte gra për t'i abuzuar në ‘burgun e seksit’

Asistentja personale e financierit të turpëruar Howard Rubin dyshohet se ka shijuar një jetë luksoze të financuar nga ish-menaxheri i portofolit të Soros Fund Management, ndërsa për më shumë se një dekadë mashtronte gra për t'i çuar tek ai për abuzim seksual, sipas prokurorëve federalë.

Jennifer Powers, 45 vjeçe, u paraqit këtë javë në gjykatën federale të Brooklyn-it për t'u deklaruar e pafajshme ndaj akuzave për trafikim seksual dhe transportim grash për akte seksuale me Rubinin, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga Fox News Digital.

Prokurorët federalë pretendojnë se Rubin "financonte pothuajse çdo aspekt" të mënyrës së jetesës së Powers-it nga të paktën viti 2018 deri në vitin 2023, duke përfshirë pagesat për apartamentin e saj në Manhattan, faturat e kartave të kreditit, shkollimin privat të fëmijëve, kaparin dhe hipotekën e shtëpisë së familjes së saj në Teksas.

Powers dhe bashkëshorti i saj, Stephen Powers, përballen gjithashtu me akuza shtesë që lidhen me pretendimet se çifti, që janë të martuar "të paktën që nga viti 2012", kanë paraqitur me qëllim deklarata të përbashkëta tatimore nga viti 2018 deri në vitin 2024, pa deklaruar miliona dollarë pagesa që Rubin u kishte dhënë, sipas prokurorëve.

"Jennifer Powers nuk ka raportuar asnjë pagë apo të ardhura nga punësimi," thuhet në aktakuzë.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se çifti nuk ka raportuar asnjë të ardhur nga Jennifer Powers dhe ka dokumentuar vetëm një të ardhur bruto prej 40,000 dollarësh nga biznesi i DJ-it të StephenPowers-it gjatë viteve tatimore 2018 dhe 2019.

Postime të mëparshme në Instagram, tani private, tregojnë familjen duke shijuar pushime luksoze në Turks dhe Caicos, Itali dhe Kolumbi, sipas New York Post.

Prokurorët tani pretendojnë se, në të njëjtën periudhë, JenniferPowers kishte një rol kyç në sigurimin e grave për Rubinin, që ai t'i abuzonte seksualisht në apartamentin e tij luksoz pranë Central Park-ut, në një dhomë të izoluar nga zhurma të quajtur "Biruca", nga viti 2011 deri në vitin 2019.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Rubin dhe Powers kanë shpenzuar mbi 1 milion dollarë për rekrutimin e grave, disa prej të cilave kishin qenë më parë viktima të abuzimit seksual apo ishin të varura nga droga, për të marrë pjesë në akte seksuale të paguara, që shpesh tejkalonin kufijtë e pëlqimit të tyre.

"Të pandehurit dyshohet se kanë shfrytëzuar statusin e Rubinitpër të joshur viktimat e tyre të mundshme dhe i kanë detyruar të përjetojnë trauma fizike të paimagjinueshme, para se t'u mbyllnin gojën me kërcënime për pasoja ligjore," tha në një deklaratë Christopher Raia, ndihmësdrejtor i FBI-së për Nju Jorkun, pas publikimit të aktakuzës.

Rubin akuzohet gjithashtu se ka paguar shpenzimet ligjore të Powers-it që lidhen me një padi të vitit 2017, të ngritur nga disa modele të Playboy që ai dyshohet se kishte abuzuar. Një juri vendosi se vetëm Rubin ishte përgjegjës dhe u dha grave 3.9 milionë dollarë dëmshpërblim, një vendim që Rubin aktualisht po e apelon, sipas Associated Press.

Jennifer Powers është liruar me një garanci prej 850,000 dollarësh dhe është urdhëruar të qëndrojë në arrest shtëpie me një pajisje monitorimi në kyçin e këmbës, sipas dokumenteve gjyqësore. Ajo më parë punonte si mësuese zëvendësuese në Carroll Independent School District në Teksas, por është pezulluar, sipas CBS Texas.

Rubin është deklaruar i pafajshëm dhe po mbahet në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht deri në seancën e tij të ardhshme gjyqësore me 20 tetor. / Fox News - Syri.net