Kane dhe Bayerni, bashkë edhe për shumë vite? Drejtori sportiv: Shpresojmë të qëndrojë gjatë në Mynih
Sulmuesi anglez, Harry Kane po vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Bayern Mynihut, duke thyer një rekord pas tjetrit. Me mbi 100 gola të shënuar që prej mbërritjes në Gjermani, ai është kthyer në liderin absolut të skuadrës bavareze dhe në një prej lojtarëve më vendimtarë në futbollin evropian.
Performanca e tij ka mahnitur drejtuesit e klubit, përfshirë edhe drejtorin sportiv Christoph Freund, i cili u shpreh me superlativa për ish-sulmuesin e Tottenhamit:
“Ndoshta po shohim versionin më të mirë të Harry Kane në karrierë. Ai është lojtari ideal për ne dhe ndihet shumë mirë në Mynih, si me skuadrën ashtu edhe me familjen e tij. Pikërisht për këtë arsye shpresojmë që të qëndrojë me Bayernin edhe për disa vite të tjera.”
Freund komentoi gjithashtu edhe për një rinovim të mundshëm të kontratës, që aktualisht skadon në vitin 2027:
“Është ende herët për të hyrë në detaje, por mendoj se të dyja palët mund ta imagjinojnë lehtësisht vazhdimin e këtij bashkëpunimi.”
Kane, që po tregon një efikasitet të jashtëzakonshëm në Bundesligë dhe në arenën ndërkombëtare, duket se e ka gjetur ambientin e përsosur në Mynih dhe Bayerni, nga ana tjetër, nuk ka asnjë arsye ta lërë të largohet.