Strakosha ndal penalltinë dhe udhëheq AEK-un drejt përmbysjes
Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, ishte një nga heronjtë e AEK-ut të Athinës në fitoren dramatike 2-3 ndaj Kifisias, në ndeshjen e zhvilluar në transfertë për kampionatin grek.
Që në minutat e para, ‘gardiani’ kuqezi u bë protagonist absolut, duke pritur një penallti vendimtare në minutën e 8-të, që i dha frymëmarrje skuadrës së tij. Megjithatë, vendasit reaguan dhe arritën të shënonin dy herë me Teteh dhe Pantelidis në minutat 14’ dhe 29’, duke kaluar në avantazh 2-0.
AEK-u nuk u dorëzua. Kaloskamis ngushtoi diferencën, ndërsa pavarësisht se mbetën me një lojtar më pak që nga minuta e 48-të, djemtë e trajnerit Matias Almeyda arritën një përmbysje spektakolare. Joviç barazoi në minutën e 60-të dhe më pas Razvan Marin vulosi fitoren në minutën 90+2’ nga pika e bardhë.
Falë këtij suksesi të madh, AEK-u ngjitet në krye të renditjes, ndërsa Strakosha mbyll një mbrëmje perfekte si lider i mbrojtjes dhe simbol i qëndrueshmërisë.
Tani portieri shqiptar do t’i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë me moralin në qiell, në prag të sfidës së zjarrtë ndaj Serbisë, ku pritet të jetë një nga pikat më të forta të kuqezinjve..