'Rama mori rolin e policit e përmbaruesit' – Qyno: I futi qytetarët me shkelma në banesa gjatë fushatës, ndërkohë sot ka asgjësuar çertifikatat e legalizimeve

Gazetari Elton Qyno, nga studioja e emisionit “Kafe Shqeto”, tha se kryeministri Edi Rama gjatë fushatës elektorale përdori ndërhyrje të drejtpërdrejta në çështje civile dhe pronësore për të krijuar imazh politik dhe për të përfituar vota.

Sipas tij, rasti i banorëve në rrugën “Frosina Plaku” është shembull i qartë se si kryeministri mori rolin e përmbaruesit dhe gjyqtarit, duke urdhëruar qytetarët të hynin me forcë në banesat e tyre, ndërkohë që konfliktet mes pronarëve ishin ende të pazgjidhura ligjërisht.

Qyno shtoi se pas zgjedhjeve, Rama është tërhequr plotësisht nga premtimet për zgjidhjen e konflikteve të qytetarëve me shtetin, ndërsa sot, sipas tij, “zgjidhja e vetme që u ofron është ruspa dhe asgjësimi i certifikatave të legalizimit”.

"Kut kalojmë tek rasti tjetër, pas zgjedhjeve, ku Rama doli i “dhjamosur” me disa mandate, sot ai nuk merret më as me bizneset, as me individët, as me zgjidhjen e konflikteve civile mes qytetarëve. Lërini më ato penale, për të cilat e ka thënë qartazi: “hëngshi kokat tuaja”. Konfliktet civile tashmë i ka lënë plotësisht pas dore dhe nuk merr përsipër të zgjidhë asgjë"- u shpreh Qyno.

Elton Qyno:

"Kur ishte koha e fushatës elektorale, ju e mbani mend se kryeministri Rama shkoi në zonën e rrugës “Frosina Plaku”, ku ekziston një problem, pasi aty ka konflikt mes banorëve dhe pronarëve.

Pronarët janë në konflikt me njëri-tjetrin (Llanajt e Vlorës, nëse nuk gaboj, nuk e kam të saktë nga janë fiks), por të qëndrojmë te fakti: situata është e tillë që kryeministri, në atë kohë, për qëllimet e veta elektorale, shkoi dhe u premtoi banorëve që të shqyenin dyert me çekiça e shkelma, vetëm për të hyrë në shtëpitë që kishin porositur.

Por këta të fundit nuk mund të hynin dot, pasi edhe pronarët që kishin ndërtuar pallatet ishin në konflikt civil dhe penal. Me ndërhyrjen e Ramës në këtë periudhë zgjedhore, ai mori rolin e përmbaruesit, gjyqtarit dhe policit të lagjes: i mori qytetarët dhe i futi me forcë në banesa.

Kjo ishte një shfaqje që u zhvillua vetëm për imazh, për të treguar se ai do t’i zgjidhte të gjitha problemet, edhe ato civile, edhe konfliktet mes individëve.

Por kur kalojmë tek rasti tjetër, pas zgjedhjeve, ku Rama doli i “dhjamosur” me disa mandate, sot ai nuk merret më as me bizneset, as me individët, as me zgjidhjen e konflikteve civile mes qytetarëve. Lërini më ato penale, për të cilat e ka thënë qartazi: “hëngshi kokat tuaja”.

Konfliktet civile tashmë i ka lënë plotësisht pas dore dhe nuk merr përsipër të zgjidhë asgjë.

Përkundrazi, nëse ke një konflikt civil apo administrativ me shtetin, zgjidhja e parë është ruspa, pra të prishin objektin ose praktika e legalizimit që ti ke aplikuar. Në shumë raste dhe këtë e ka thënë vetë publikisht, është asgjësuar edhe certifikata e legalizimit".