Egjipti hap për vizitorët varrin e Faraonit Amenhotep III pas dy dekadash restaurimi
Egjipti hapi sot për publikun varrin e Faraonit Amenhotep III, një nga sundimtarët më të mëdhenj të Egjiptit të lashtë, pas më shumë se 20 vitesh punimesh restaurimi. Ky projekt u zhvillua në tre faza dhe u udhëhoq nga ekspertë ndërkombëtarë, përfshirë një ekip japonez të specializuar në ruajtjen e monumenteve antike.
Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit theksoi se varri është tashmë i gatshëm për vizitorët, ndërsa pikturat e faraonit dhe të gruas së tij janë restauruar me kujdes në muret e tij. Vepra të rëndësishme artistike që paraqesin Amenhotepin III me perënditë egjiptiane dhe fragmente nga “Libri i të Vdekurve” janë pjesë e dekorimeve që mund të shihen sot nga publiku.
Varri monumental, i zbuluar në vitin 1799 dhe i plaçkitur që në lashtësi, ndodhet në anën perëndimore të Luginës së Mbretërve. Ai përfshin një korridor 36 metra të gjatë që zbret 14 metra në thellësi, dhomën kryesore të mbretit dhe dy hapësira të tjera të dedikuara për mbretëreshat Tia dhe Sitamun.
Hapja e tij për vizitorët vjen më pak se një muaj para inaugurimit zyrtar të Muzeut të Madh Egjiptian pranë piramidave të Gizës, duke e bërë këtë një tjetër moment historik për trashëgiminë kulturore të Egjiptit