VIDEO TRONDITËSE NGA KANADAJA/ Si u ekzekutua në mes të ditës bosi i mafias greke i njohur si 'Bobby the Greek'
Pamjet filmike nga kamerat e sigurisë brenda një kafeneje Starbucks në Laval, periferi e Montrealit, kanë tronditur opinionin publik në Kanada dhe diasporën greke, pas ekzekutimit mafioz të Charalambos Theologos, i njohur si “Bobby the Greek”.
Ngjarja ndodhi në mes të ditës së shtunë, kur dy persona të armatosur dhe me fytyrat të mbuluara hynë në lokal dhe qëlluan me armë zjarri drejt 40-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend. Dy persona të tjerë pranë tij mbetën të plagosur rëndë. Klientët e kafenesë, të tmerruar, u shtrinë në dysheme ose u përpoqën të iknin, ndërsa momentet dramatike u kapën nga kamerat e sigurisë.
Sipas policisë së Kebekut, bëhet fjalë për një larje hesapesh mes fraksioneve rivale të krimit të organizuar. Theologos ishte një figurë e njohur në botën kriminale të zonës dhe udhëheqës i grupit të njohur si “Grekët e Ditës”, i përfshirë në zhvatje, trafik droge dhe zjarrvënie.
Sipas raportimeve të rrjetit CBC, Theologos njihej si ndërmjetës në kontrata zhvatjeje dhe vrasjeje, ndërsa ndaj tij ishin ngritur më parë akuza për trafikim kokaine dhe heroine, posedim armësh dhe komplot kriminal. Dyshohet se ai kishte pasur përplasje të fundit me grupe të tjera të krimit të organizuar, përfshirë edhe grupin famëkeq Hells Angels, çka mund të ketë çuar në eliminimin e tij.
Një ish-drejtues i policisë së Montrealit deklaroi se Theologos ishte përfshirë në disa raste zhvatjeje dhe kishte ushtruar presion ndaj bizneseve përmes kërcënimeve dhe sulmeve me zjarr. “Ai përpiqej të merrte para me forcë, gjë që shkaktoi reagim të ashpër në botën e krimit,” tha ai.
Videoja e siguruar nga kamerat e sigurisë është tashmë pjesë e dosjes hetimore dhe konsiderohet si një provë kyçe për identifikimin e autorëve. Pak orë pas ngjarjes, autoritetet gjetën një makinë të djegur në një parking në veri të Montrealit, që dyshohet të jetë përdorur si mjet arratisjeje nga atentatorët.
Gjurmët e gjetura në mjet tregojnë për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim mes Sûreté du Québec (SQ) dhe policisë së Montrealit.
Ministri i Sigurisë Publike të Kebekut, Ian Lafrenière, e cilësoi ngjarjen si “veçanërisht shqetësuese” për shkak të natyrës publike dhe orarit të atentatit. Ai konfirmoi se është rritur ndjeshëm prania e forcave të rendit në Montreal dhe Laval, për të parandaluar sulme të mundshme hakmarrjeje.
Ndërkohë, ish-drejtues të policisë shprehen se vrasja e një lideri të grupit kriminal mund të shkaktojë “vakum pushteti” dhe përplasje për territore mes bandave të ndryshme. “Situata në botën e krimit të Montrealit është aktualisht kaotike,” paralajmëroi ish-detectivi Pietro Poletti, duke shtuar se kriminelët e rinj janë më të dhunshëm dhe nuk ngurrojnë të qëllojnë në vende publike.
Hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të atentatit vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa policia po mbikëqyr nga afër individët që kishin lidhje me viktimën Theologos./Prothothema