SYRI TV/ Molla e Dvoranit pa treg për shitje, fermerët: Mbi 50% e prodhimit pa shitur

Mollët e Dvoranit në Korçë po mbeten në pemë ose stok në frigorifer pa u shitur, për shkak të mungesës së tregut. Fermerët thonë se mbi 50% e prodhimit të këtij sezoni ka mbetur pa u shitur. Ata akuzojnë shtetin për mungesë mbështetjeje, duke theksuar se po penalizohen nga produktet e importit që vijnë me çmime më të ulëta.

Syri TV

Përveç dëmeve të shkaktuara nga ngricat dhe mungesës së dëmshpërblimit nga shteti, fermerët e mollëve në Dvoran përballen edhe me mungesën e tregut për shitje. Ata pohojnë se më shumë se 50% e mollëve kanë mbetur pa u shitur, duke mos mbuluar as kostot e prodhimit. Në këto rrethana, ata detyrohen t’i ruajnë në kushte frigoriferike, ose rrezikojnë që prodhimi të kalbet në pemë.

Gjatë festës së mollës, që organizohet çdo vit, fermerët shprehin shqetësimin për çmimet e ulëta të shitjes, si pasojë e konkurrencës së pandershme nga prodhimet e importuara. Ata i bëjnë apel shtetit të ndërhyjë për rregullimin e tregut, në mënyrë që të favorizohen prodhimet vendase.

Në një kohë kur siguria ushqimore po vihet në pikëpyetje për shkak të alarmeve nga autoritetet ndërkombëtare, fermerët theksojnë se përpiqen të jenë të kujdesshëm në përdorimin e preparateve dhe pesticideve, duke u konsultuar me agronomë dhe duke respektuar standardet evropiane.