SYRI TV/ Shembjet e IKMT zbulojnë korrupsionin, Denoncimi i fortë i Sakollarit: Mariglen Qato kërkoi 200 mijë euro
IKMT ka zbarkuar të shtunën (4 tetor) në zonën e Kombinatit për të shembur disa godina me 12 biznese me 200 punonjës. Pronarët kanë dhënë dëshmi tronditëse duke denoncuar ish-drejtorin e Bashkisë Tiranë Mariglen Qato se u ka kërkuar 200 mijë euro që objektet të mos shemben. Edhe përpara zgjedhjeve të 11 majit tha Sokol Sakollari, inspektorë të shtetit i kanë kërkuar 50 mijë euro. Tjetër skandal që u vu në dukje është se shembjet po tentohen të behen kundër vendimit të gjykatës që iu ka dhënë të drejtë bizneseve.
Nga SYRI TV
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur një aksion në zonën e Kombinatit për shembjen e një godine në të cilën operojnë 12 biznese dhe ka të punësuar 200 qytetarë.
Pronarët publikojnë kontratat e blerjes së dy pronave përmes bankave dhe në mënyrë të rregullt, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë iu ka dhënë të drejtë atyre.
E ndërsa çështja është apeluar nga Bashkia e Tiranës dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë, pronarët dhe punonjësit u gjendën përballë fadromave të IKMT-së dhe Bashkisë, të cilat i denoncojnë se në vend të këtyre objekteve do të ndërtohen pallate.
Pronarët janë njoftuar për shembjet vetëm 18 orë përpara se fadromat të mbërrinin në Kombinat.
Sako Sakollari, një nga pronarët bëri një denoncim të fortë, ku tha se që nga drejtorët deri tek inspektorët e thjeshtë kanë kërkuar para në kohë të ndryshme. Ai pretendoi se 3 vite më parë nga Mariglen Qato, sot i arrestuar për korrupsion, iu kërkuan 200 mijë euro që të mos prishej objekti.
"Pardje pasi bëmë llafe, dhe u thashë nuk paguaj asnjë lek, më tha shko tako shefin lart. Policia ta verifikojë. Shefi para tre vitesh na kërkoi 200 mijë euro. Para 3 muajsh na erdhën 2 inspektorë e na kërkuan 50 mijë euro për fushatë. Erdhën në emër të IMT' tha Sakollari.
Më tej Sakollari vuri në dispozicion dokumente që provojnë se Bashkia dhe IKMT dalin kundër vendimit të gjykatave. Më tej ai theksoi se prishja e këtyre objekteve bëhet me qëllim që 5D-të e Bashkisë së Tiranës që janë në burg, të ndërtojnë pallate
Veç dëmit ekonomik për pronarët e objektit ajo çfarë rëndon edhe më tej situatën, është mbyllja e një sërë bizneseve dhe mbyllja e hapësirave për punë për mbi 200 qytetarë.