Gvozdenoviç: Në pjesën e parë ishim të hapur, barazimi do të ishte më i drejtë

Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka komentuar pas humbjes minimale 1-0 ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi”, një rezultat që i kushtoi ekipit të tij vendin e parë në renditje. Verdheblutë ndodhen tani në pozitat e ndjekësit të ngushtë, dy pikë pas kryesuesve shkodranë, dhe sipas trajnerit, ndeshja u vendos nga detajet.

“Humbja nuk është asnjëherë e mirë,” – tha Gvozdenoviç. – “Vllaznia ishte më e mirë në pjesën e parë dhe mund të kishte shënuar edhe një gol tjetër. Në pjesën e dytë reaguan lojtarët e mi, ishim më lart dhe krijuam disa raste. Mendoj se barazimi do të ishte rezultati më i drejtë.”

Tekniku serb pranoi se ekipi i tij pati probleme në organizim dhe pozicionim gjatë fraksionit të parë:

“U ndëshkuam pas një tranzicioni të gabuar. Fillimisht ishim shumë të hapur në fushë. Ideja ishte të luanim me sistemin 4-2-3-1, por për disa momente u shndërruam në 4-2-4, gjë që krijoi boshllëqe në mesfushë. Mungoi edhe pasimi i fundit drejt sulmit.”

Në vijim, Gvozdenoviç theksoi përmirësimin në pjesën e dytë:

“U përpoqëm të reagonim dhe ishim afër barazimit. Megjithatë, gabimet teknike dhe mungesa e komunikimit na penalizuan. Reagimi nuk ishte aq i shpejtë sa duhet.”

Pavarësisht humbjes, trajneri u shpreh se Elbasani do të vijojë garën për kreun dhe se ka besim në grupin e tij për rikthim të menjëhershëm te rezultatet pozitive.