Të hënën nisin negociatat! Netanyahu: Hamas do të çarmatoset, shpresoj të njoftoj lirimin e pengjeve në ditët në vijim
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu shpreson të njoftojë së shpejti lirimin e pengjeve izraelite që mbahen në Gaza
Duke folur për gazetarët në hebraisht nga Jeruzalemi, Netanyahu konfirmoi se një delegacion izraelit do të udhëtojë në kryeqytetin e Egjiptit për të finalizuar disa detaje teknike të lirimit të pengjeve dhe për të përcaktuar një afat kohor për zbatimin e armëpushimit.
Negociatorët izraelitë do të punojnë për të finalizuar edhe një afat kohor për lirimin e pengjeve sipas planit për Gazën të propozuar nga Presidenti Trump.
Ai vuri në dukje se propozimi amerikan përfshin edhe demilitarizimin e Hamasit dhe shtoi se kjo do të arrihet ose përmes propozimit të Trump, ose përmes veprimeve ushtarake izraelite.
Ai paralajmëroi se Hamas do të çarmatosej politikisht ose ushtarakisht, “Qoftë në mënyrë të lehtë apo të vështirë, në çdo rast, kjo do të arrihet,” theksoi Netanyahu, duke lënë të kuptohet se nëse grupi nuk pranon marrëveshjen, operacionet ushtarake izraelite do të intensifikohen
Për Netanyahun Hamasi nuk ka alternativë tjetër veçse të pranojë këtë marrëveshje, ndërsa pak orë më parë,
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Netanyahu ishte ai që nuk kishte zgjedhje dhe duhej të pranonte çdo gjë që përmbante marrëveshja. Sipas Trump, marrëveshja është përfundimtare, pa shumë hapësirë për negociata, ndërsa detajet, si kohët e lirimit të pengjeve dhe fillimi i armëpushimit, do të jenë pika për negociim,shkruan Al Jazeera.
Negociatat nisin të hënën në Sharm el-Sheik
Ministria egjiptiane e Jashtme ka konfirmuar se bisedimet mbi marrëveshjen për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës në Gaza do të nisin të hënën.
Bisedimet do të zhvillohen në Sharm el-Sheik.
“Sipas përpjekjeve të vazhdueshme egjiptiane dhe në koordinim me ndërmjetësit për të ndalur luftën në Rripin e Gazës, Egjipti do të presë më 6 tetor dy delegacione nga Izraeli dhe Hamas për të diskutuar termat dhe detajet e shkëmbimit të të gjitha pengjeve izraelite dhe të të burgosurve palestinezë, në përputhje me propozimin e Presidentit Trump,” njofton ministria.
Ndërkohë numri i palestinezëve të vrarë prej mëngjesit të sotëm në sulmet izraelite mbi Rripin e Gazës arriti në 61, prej të cilëve 45 vetëm në Gaza City, raportoi Al-Jazeera duke cituar burime mjekësore.
Ndërkohë 120 mijë persona u mblodhën në Tel Aviv për të protestuar për lirimin e pengjeve.