Ilir Daja pas triumfit ndaj Flamurtarit: Kemi më shumë qetësi, por s’jemi ende në maksimum

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, u shpreh i kënaqur me fitoren 2-0 ndaj Flamurtarit, por theksoi se skuadra e tij ka ende shumë për të përmirësuar. Ai foli për mungesat e rëndësishme të Guindos, Hekuran Berishës dhe Farrukut, duke pranuar se këto mungesa kanë ndikuar në lojën ofensive. “Guindo është një pikë referimi për sulmin tonë, por presim kontribut edhe nga të tjerët,” – tha Daja.

Tekniku theksoi rëndësinë e ekuilibrit mbrojtës dhe qasjes së qetë në pjesën e dytë, ku Dinamo kërkoi me ngulm golin e dytë, por shpërdoroi disa raste. “Në dëshirën për të mbyllur ndeshjen, gabonim në finalizim. E rëndësishme është që mbajtëm ekuilibër dhe nuk lejuam kundërshtarin të rrezikonte,” shtoi ai.

Daja vlerësoi gjithashtu performancën e mbrojtjes dhe përmendi veçanërisht Vilën, si një nga lojtarët më të mirë të ndeshjes, ndonëse kërkoi më shumë vendosmëri nga ai në momentet vendimtare. “Ngritja e zërit do të jetë prezente në analizë,” tha me ironi trajneri, duke theksuar se grupi po rritet në mënyrë të shëndetshme dhe me harmoni.