'Përleshja me thika në gjimnazin ‘Ibrahim Rugova’, Xhixho: Qeveria dështoi të garantojë sigurinë në shkolla
Ngjarja e rëndë në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz ngriti edhe njëherë alarmin për mungesën e sigurisë në shkolla.
E ndërsa qeveria që flet për laboratorë digjitalë e arsimim me standarde europiane nuk garanton dot jetën e nxënësve brenda dhe jashtë mureve të shkollës, nënvizon deputetja e PL-së Erisa Xhixho në një postim në facebook.
Xhixho thotë se përgjegjësia është institucionale dhe nis që nga qeveria, e cila e ka injoruar arsimin për vite të tëra!
Ngjarja e rëndë në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz ngriti edhe njëherë alarmin për mungesën e sigurisë në shkolla. Përleshja me thika vetëm pak hapa nga shkolla, me pasojë plagosjen e tre nxënësve, është treguesi më i qartë se të gjithë mekanizmat parandalues kanë dështuar. Në këtë shkollë nuk ka pasur as oficerë sigurie.
Pa u bërë një muaj nga nisja e vitit shkollor, kanë qenë disa ngjarjet e rënda që provojnë dështimin e plotë të programeve të parandalimit të dhunës në shkollë, shërbimit të psikologut, të oficerit të sigurisë dhe programeve edukative.
Një 16-vjeçare, nxënëse e të njëjtit gjimnaz, i dha fund jetës pak ditë më parë
Një 15-vjeçare në Sarandë tentoi të vetëvritej prej bullizmit në shkollë
Një 16-vjeçare në Këlcyrë u bë pre e abuzimit seksual të efektivëve të policisë
70% e shkollave janë të pambuluara me oficerë sigurie
Qeveria që flet për laboratorë digjitalë e arsimim me standarde europiane nuk garanton dot jetën e nxënësve brenda dhe jashtë mureve të shkollës.
Ngjarje të rënda si ajo e nëntorit të vitit të kaluar, kur 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën në rrethana të ngjashme, nuk mund të përsëriten! Sepse nuk mund të fajësohet më as Tik-Toku dhe as rrjetet e tjera sociale. Përgjegjësia është institucionale dhe nis që nga qeveria, e cila e ka injoruar arsimin për vite të tëra!