Allegri: Me Juventusin s’ka asnjë revansh, synimi ynë është rikthimi në Champions
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, do të rikthehet nesër në “Allianz Stadium” si kundërshtar, për herë të parë që nga viti 2013. Pas dy periudhave të suksesshme në stolin e Juventusit, ku fitoi 12 trofe, mes tyre 5 tituj kampionë dhe dy finale të Champions League, tekniku italian udhëheq tashmë kuqezinjtë si kryesues të Serie A, në një përballje që pritet me shumë interes.
Në konferencën për shtypin, Allegri theksoi rëndësinë e ndeshjes, por mohoi çdo ndjenjë hakmarrjeje ndaj ish-skuadrës së tij:
“Nesër do të jetë një ndeshje e bukur, sepse Juve–Milan është gjithmonë një sfidë e jashtëzakonshme. Për ne është e rëndësishme të bëjmë një tjetër hap përpara. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për ta mbyllur mirë para pushimit. Objektivi ynë është ta kthejmë Milanin aty ku e meriton, në Ligën e Kampioneve. Nuk është një revansh për mua, por një ndeshje e madhe ku jam i lumtur që do të jem sërish në pankinë.”
Sa i përket formacionit, tekniku kuqezinj shtoi:
“Tomori është gati, por do ta vlerësojmë deri në fund. Në të majtë do të luajë një mes Bartesaghi-t dhe Athekame-s. Ndërkohë, Leão dhe Nkunku po përmirësohen dita-ditës.”