VIDEO/ Kudus rikthen buzëqeshjen te Tottenhami, Leeds-i bie në ‘Elland Road’
Tottenham Hotspur vazhdoi dominimin ndaj Leeds United me një fitore 2-1 në “Elland Road”, duke shënuar suksesin e gjashtë në shtatë përballjet e fundit mes tyre në Premier League. Ndeshja nisi me presion të madh nga vendasit, që rrezikuan herët me një goditje dënimi të Longstaff, por pa sukses. Përkundër lojës më sulmuese të Leeds, Tottenham u tregua më efikas: Mathys Tel zhbllokoi sfidën në pjesën e parë me një gjuajtje që u devijua nga Struijk dhe kaloi portierin Darlow.
Leeds reagoi dhe barazoi falë një gabimi të Vicario-s, që pasoi topin drejt Noah Okafor-it për një gol të lehtë. Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat patën raste të pastra, por ishte Mohammed Kudus ai që vendosi fatin e ndeshjes me një goditje të fortë nga distanca, që përfitoi nga terreni i lagësht për të mposhtur portierin vendas.
Pavarësisht përpjekjeve të trajnerit Daniel Farke dhe ndryshimeve ofensive në fund, Leeds nuk arriti të barazonte. Tottenham siguroi kështu fitoren e parë në kampionat që nga shtatori, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e dytë në renditje dhe duke forcuar objektivin për një rikthim në “Top-4”.