'Nga spektatore në aktore, roli i grave në integrimin europian', Garo: Jo thjesht barazi, por domosdoshmëri kombëtare për zhvillimin e Shqipërisë

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, gjatë konferencës “Të bësh ndryshimin, nga influencues në vendimmarrës”, organizuar nga Partia Demokratike, tha se Shqipëria që duam nuk mund të ndërtohet pa gratë.

Ajo theksoi se fuqizimi i gruas nuk është vetëm një çështje barazie, por një domosdoshmëri kombëtare për zhvillimin dhe integrimin e vendit.

Në fjalën e saj, Garo nënvizoi rëndësinë e përfshirjes aktive të grave në procesin e integrimit europian, duke kërkuar që ato të mos mbeten spektatore, por të jenë aktore kryesore në grupet negociatore dhe në çdo nivel vendimmarrjeje.

Ajo theksoi gjithashtu nevojën për mbrojtjen e grave në media dhe për mbështetje konkrete në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, përmes granteve dhe nxitjes së start-upeve të drejtuara nga gra.

Sipas Garos, vetëm me gra të fuqizuara në politikë, ekonomi, media dhe teknologji, Shqipëria mund të ecë drejt një të ardhmeje më të drejtë, më të barabartë dhe europiane.

Fjala e plotë:

Të nderuara zonja demokrate, te dashura kolege dhe mike të Partisë Demokratike nga fondacioni Jarl Hjalmarson

Sot jemi mbledhur jo vetëm për të folur për gratë, por për të folur për Shqipërinë. Sepse Shqipëria që duam nuk ndërtohet pa gratë. Dhe unë jam sot këtu për t’ju thënë diçka të qartë: fuqizimi i gruas nuk është thjesht çështje barazie, është domosdoshmëri kombëtare.

Për shumë vite gratë shqiptare kanë qenë shtylla e familjes dhe shpirti i komunitetit. Kanë sakrifikuar, kanë punuar, kanë luftuar për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre, shpesh pa mbështetjen dhe mundësitë që meritojnë. Sot është koha që kjo fuqi e heshtur të bëhet forcë vendimmarrëse – në politikë, në ekonomi, në media dhe në teknologji .

Integrimi në Bashkimin Evropian

Integrimi europian nuk është vetëm një proces politik. Ai është një kontratë shoqërore që prek drejtpërdrejt jetën e çdo gruaje shqiptare. Standardet e BE-së për barazinë gjinore, janë një mundësi e madhe për të ngritur nivelin tonë kombëtar.

Ne në Partinë Demokratike propozojmë që gratë të jenë jo spektatore, por aktore kryesore të këtij procesi: të kemi gra eksperte në grupet negociatore, që e udhëheqin këtë proces. Asgjë nuk do të ndryshojë nëse gratë nuk janë pjesë e vendimmarrjes dhe drejtimit të vendit .

Shembujt nga Kroacia e Mali i Zi tregojnë se vendet që kanë përfshirë gratë në procesin negociues kanë ecur më shpejt dhe më mirë.

Roli i Medias

Pa media të lirë nuk ka demokraci. Dhe pa gra të mbrojtura në media nuk ka media të lirë. Në Shqipëri kemi gra gazetare, moderatore, producente që shpesh përballen me dyfish presion – profesional dhe personal.

Duhet një program i posacem per mbrojtjen nga dhuna online. 

Ndryshimi i Botës nga Teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale

Bota po ndryshon më shpejt se kurrë. Inteligjenca artificiale, teknologjia, automatizimi po transformojnë tregun e punës. Për gratë kjo është një shpatë me dya. Nga njëra anë, teknologjia u jep mundësi të punojnë nga shtëpia, të hapin biznese online, të ofrojnë shërbime globale. Ka vajza që tashmë punojnë si freelancere për kompani amerikane nga shtëpia e tyre.

Por nga ana tjetër, sektori i shërbimeve ku punojnë shumë gra – banka, administrata, call-centers – do të preket i pari nga automatizimi. Qindra vende pune mund të zhduken në dhjetë vitet e ardhshme.

Grante enkas per teknologjine jane te domosdoshme per start upet e grave. La ta udheheqin grate inovacionin ne dekaden e ardhshme ne Shqiperi 

Por asgjë nga këto nuk do të ndodhë nëse gratë nuk janë në tavolinën ku merren vendimet. Ne nuk duam gra në role simbolike, duam gra me fuqi reale vendimmarrëse, që udhëheqin negociatat me BE-në, reformat në drejtësi, inovacionin dhe lirinë e medias.

Ne duam që vajzat e sotme të shohin tek ne modele të suksesshme, jo premtime bosh.

Të dashura zonja,

Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa gratë. Integrimi në Europë, liria e medias dhe përballja me revolucionin teknologjik janë sfida të mëdha. Por me gratë si vendimmarrëse, këto sfida kthehen në mundësi.

Le të jemi së bashku zëri, drita dhe ndryshimi. Gratë shqiptare duhet te jene e tashmja e PD dhe e Shqipërisë. Kjo eshte koha jone.