Jeta e jashtëzakonshme dhe vdekja e dhunshme e Ciceronit, mbrojtësit fatkeq të Republikës Romake
Me 7 dhjetor të vitit 43 p.e.s., oratori romak Mark Tul Ciceroni u vra me urdhër të Mark Antonit, por idetë e tij nuk vdiqën me të.
"Nëse nuk kemi turp ta mendojmë një gjë, nuk duhet të kemi turp ta themi."
Kështu tha Mark Tul Ciceroni, oratori i madh romak, filozofi dhe shkrimtari. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 2000 vjet që kur ai eci mbi këtë tokë, fjalët e tij ende citohen për urtësinë dhe sinqeritetin që përçojnë.
Ai ndihmoi në futjen e filozofisë greke në kulturën romake dhe krijoi një fjalor latin për konceptet filozofike. Punimet e tij mbi retorikën, politikën dhe etikën ndikuan tek mendimtarët e Rilindjes, filozofët e Iluminizmit dhe etërit themelues të Shteteve të Bashkuara.
Ciceroni pati ndikim të jashtëzakonshëm, por kjo nuk mjaftoi për t'i garantuar sigurinë. Në fund të fundit, ai ishte thjesht një njeri që mund të krijonte armiq të fuqishëm. Në marrëdhënien e tij të trazuar me Jul Cezarin, Ciceroni mbështeti Pompein gjatë luftës së tyre civile. Pas vrasjes së Cezarit, Ciceroni u vu kundër Mark Antonit, duke besuar se ai kërcënonte mbijetesën e Republikës dhe e nxiti Senatin të mbështeste rivalin e Antonit, Oktavianin.
Basti i Ciceronit dështoi. Oktaviani dhe Antoni u pajtuan me Lepidin për të formuar Triumviratin e Dytë dhe Antoni kërkoi ekzekutimin e Ciceronit. Fati i tij ishte vulosur.
Jeta e hershme, arsimi dhe ngjitja në pushtet
Mark Tul Ciceroni lindi me 3 janar të vitit 106 p.e.s., me shumë gjasa në Arpinum, në juglindje të Romës. Megjithëse familja e tij ishte e pasur dhe pjesë e rendit kalorësiak, ata nuk kishin lidhje me elitën senatoriale. Ciceroni u konsiderua novus homo, ose "njeri i ri", i pari në familjen e tij që synonte postet më të larta të Republikës.
Me një intelekt të jashtëzakonshëm, ai studioi juridik, retorikë dhe filozofi nën mësues të njohur, përfshirë filozofë dhe retorë grekë. Ai kreu shërbimin ushtarak në vitin 89 p.e.s. nën Pompeius Strabonin, babanë e Pompeit. Në vitin 81 p.e.s., Ciceroni u shfaq në gjykata, me çështjen e tij të parë madhore një vit më vonë.
Rreth vitit 80 p.e.s., Ciceroni mbrojti Sextus Rosciusin, i akuzuar padrejtësisht për vrasjen e babait. Duke marrë përsipër këtë çështje, ai sfidoi aleatët e diktatorit Sulla, duke shmangur ndërkohë akuzat e drejtpërdrejta kundër vetë Sullës. Mbrojtja e tij e suksesshme tregoi guximin dhe dhuntinë e tij në argumentim, duke i forcuar reputacionin si orator premtues.
Gjatë dekadës së ardhshme, Ciceroni u ngjit nëpër cursus honorum, shkallët e detyrave publike që ndiqeshin nga romakët ambiciozë. Ndjekja në gjyq e Gaius Verresit, guvernatorit të korruptuar të Sicilisë, në vitin 70 p.e.s., i solli edhe më shumë famë. Verresi kishte plaçkitur Sicilinë dhe kishte keqtrajtuar banorët e saj. Fjalimet e Ciceronit zbuluan korrupsionin e tij, duke çuar në internimin e Verresit.
Falë çështjeve, Ciceroni fitoi dashurinë e qytetarëve të Romës, duke i hapur rrugën drejt konsullatës.
Konsullata dhe konspiracioni i Katilinës
Në vitin 63 p.e.s., Ciceroni u zgjodh konsull, magistratura më e lartë e zakonshme në Romë. Zgjedhja e tij ishte një triumf për një novus homo dhe dëshmi e popullaritetit të tij. Megjithatë, konsullata e tij përkoi me një nga periudhat më dramatike të Republikës së vonë: Konspiracionin e Katilinës.
Luc Serg Katilina, i rënduar nga borxhet dhe i zhgënjyer nga politika, mblodhi një koalicion fisnikësh të varfëruar, veteranësh dhe debitorësh të dëshpëruar për të marrë pushtetin me forcë, duke premtuar falje borxhesh dhe ndryshime radikale politike.
Kur plani u zbulua, Ciceroni e denoncoi Katilinën me fjalët e famshme në Senat:
"Deri kur, o Katilinë, ke ndër mend të abuzosh me durimin tonë? Sa kohë do të na tallë ajo marrëzia jote? Kur do të ketë një fund ai guxim i pakufishëm yti, që shfaqet kudo si tani?"
Përmes katër Fjalimeve Katilinare, Ciceroni mobilizoi senatorët dhe ekspozoi komplotin, duke e detyruar Katilinën të arratisej. Komplotistët e tjerë u kapën dhe Ciceroni urdhëroi ekzekutimin e tyre.
Roma e lartësoi Ciceronin, duke e quajtur pater patriae, "atë i atdheut." Por kjo nuk ishte e njëzëshme. Kritikët e akuzuan Ciceronin për shkelje të të drejtave të qytetarëve romakë duke i ekzekutuar revolucionarët pa gjyq dhe ky vendim u bë armë për armiqtë e tij.
Internimi, kthimi dhe luftërat civile
Pas konspiracionit, fati i Ciceronit ndryshoi. Triumvirati i Parë, Cezari, Pompei dhe Krasi, riformësuan politikën romake, duke e lënë Ciceronin mënjanë. Në vitin 58 p.e.s., rivali i tij Publ Klod Pulçeri miratoi një ligj që shënjestronte këdo që kishte ekzekutuar qytetarë pa gjyq.
Ciceroni u detyrua të shkonte në internim. Shtëpia iu shkatërrua, prona iu konfiskua dhe ai endej në Greqi i dëshpëruar.
Rreth një vit më vonë, kërkesa popullore dhe ndërhyrja e Pompeit siguruan rikthimin e tij. Ai u kthye në Romë në vitin 57 p.e.s. mes një pritjeje madhështore, por ndikimi i tij politik ishte dobësuar. Ai gjithnjë e më shumë u tërhoq nga politika e drejtpërdrejtë, duke iu përkushtuar shkrimit dhe reflektimeve filozofike, edhe pse nuk e braktisi kurrë plotësisht jetën publike.
Ndërkohë, Republika po binte në një destabilizim gjithnjë e më të madh. Cezari vazhdonte të grumbullonte pushtet në Gali. Kalimi i tij i Rubikonit në vitin 49 p.e.s. e zhytën Romën në luftë civile. Ciceroni në fund u rreshtua në krah të Pompeit dhe kampit senator kundër Cezarit.
Pas humbjes së Pompeit në Farsal, Ciceroni u kthye në Romë. Në një gjest befasues, Cezari e fali, duke i lejuar të jetonte në një siguri relative.
Megjithatë, diktatura e Cezarit e irritoi Ciceronin, dhe ai u tërhoq kryesisht nga politika, duke u përqendruar në shkrime. Gjatë kësaj kohe, ai krijoi vepra me ndikim të madh dhe ndihmoi në ruajtjen e filozofisë greke, duke e përkthyer atë për lexuesit latinë, gjë që do të ndihmonte në formësimin e filozofisë perëndimore për shekuj me radhë.
Vrasja e Cezarit dhe Filipiket
Vdekja e Cezarit shënoi një pikë kthese madhore në historinë e Romës. Fillimisht, Ciceroni e mori këtë si një shenjë se Republika mund të rikthehej.
"Tirani ynë e meritonte vdekjen për shkak se kishte bërë përjashtim për gjënë që ishte krimi më i zi," shkroi Ciceroni. "… këtu keni një njeri që kishte ambicie të bëhej mbret i Popullit Romak dhe zot i gjithë botës; dhe ia arriti!"
Por shpejt e kuptoi se vdekja e Cezarit solli më shumë kaos se stabilitet.
Ciceroni ishte sidomos i shqetësuar për Mark Antonin, i cili e paraqiti veten si trashëgimtar politik i Cezarit, ndërkohë që biri i birësuar i Cezarit, Oktaviani, hyri në skenë. Ciceroni e vendosi besimin e tij tek Oktaviani, një lëvizje që u kritikua nga Bruti, një nga vrasësit e Cezarit.
Duke filluar nga shtatori i vitit 44 p.e.s., Ciceroni nisi një seri të ashpër prej 14 fjalimesh, të njohura si Filipiket, të modeluara sipas sulmeve të Demostenit kundër Filipit të Maqedonisë. Ai e akuzoi Antonin për korrupsion, tirani dhe degjenerim, duke e portretizuar si armikun e Republikës. Ishte një keqllogaritje fatale.
Vdekja e Ciceronit me urdhër të Mark Antonit
Ciceroni kishte vënë të gjithë energjinë e tij për të bindur Senatin të kundërshtonte Antonin, por Oktaviani përfundimisht u aleat me Antonin dhe Lepidin për të formuar Triumviratin e Dytë. Antoni nuk e fali kurrë Ciceronin për Filipiket dhe kërkoi vdekjen e tij.
Në vitin 43 p.e.s., Ciceroni u përpoq të arratisej nga Roma, por u kap nga njerëzit e Antonit pranë Formies, me 7 dhjetor. Dëshmitë ndryshojnë, por thuhet se Ciceroni e pranoi fatin e tij sapo e kuptoi se nuk mund të shpëtonte. Thuhet se i tha ekzekutuesit të tij:
"Nuk shkoj më tej: afrohu, o ushtar veteran, dhe, nëse mundesh të paktën këtë ta bësh siç duhet, preje këtë qafë."
Ciceroni u ekzekutua me prerje koke dhe më pas iu prenë duart, gjoja sepse i kishte përdorur për të shkruar kundër Antonit.
Antoni ekspozoi kokën dhe duart e Ciceronit mbi tribunën e Forumit të Romës. Gruaja e Antonit, Fulvia, thuhet se i shpoi gjuhën me kunjat e flokëve të saj.
Me këtë, u hesht zëri i fundit i madh i Republikës Romake.
Ciceroni kishte shkruar një herë: "Mirëqenia e popullit është ligji më i lartë." Gjatë kohës së tij, ky parim u shtyp nën peshën e luftërave civile, përplasjeve për pushtet dhe diktaturës. Por edhe pse Ciceroni nuk mund të fliste apo të shkruante më, fjalët e tij vazhduan të jetonin e të frymëzonin breza edhe përtej rrënojave të Republikës Romake.