Pasi vendi u dogj nga veriu në jug, Rama kujtohet për zjarrfikësit! Premton rritje pagash dhe reformë në mes të 'rrënojave'

Pasi zjarret masive përfshinë Shqipërinë nga veriu në jug, duke shkrumbuar qindra hektarë tokë, banesa dhe blegtori, Kryeministri Edi Rama është kujtuar të flasë për sistemin zjarrfikës.

Në një takim të zhvilluar këtë të shtunë me strukturat zjarrfikëse, Rama foli për "një nivel të ri shërbimi" dhe premtoi rritje pagash, ndërsa vendi ende nuk ka marrë veten nga dëmet e shkaktuara nga mungesa e ndërhyrjes në kohë dhe burimeve minimale në terren.

“Sot ekonomia dhe rritja e të ardhurave na japin mundësi që të kthejmë më shumë në drejtim të atyre që i shërbejnë atdheut dhe atyre që janë në fronte të vështira ku rrezikohet edhe jeta e njerëzve”, deklaroi Rama, duke pranuar njëkohësisht se ky ka qenë viti më i vështirë për vendin, por pa dhënë asnjë përgjegjësi konkrete për dështimin e strukturave që ishin të papërgatitura për emergjencat.

Në vend që të jepte llogari për mungesën e koordinimit mes bashkive, prefekturave dhe emergjencave civile gjatë krizës së zjarreve, kreu i qeverisë foli për plane të reja:

“Kemi filluar të punojmë për një reformë të prefekturave, por kjo kërkon angazhimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të bashkive dhe njësive administrative.”

Megjithatë, nuk u përmend asnjë masë konkrete për dëmet që kanë pësuar dhjetëra familje apo çfarë mbështetje do të marrin qytetarët e prekur, ndërsa retorika e kryeministrit mbeti e përqendruar tek të ardhurat dhe projektet e ardhshme.

Syri TV rikujton se në shumë raste, zjarrfikësit kanë operuar me pajisje të amortizuara, mungesë personeli dhe logjistikë të papërshtatshme për përballimin e flakëve që përfshinë zona të tëra pyjore dhe të banuara.

Deklarata:

“Sot ekonomia dhe rritja e të ardhurave na japin mundësi që të kthejmë më shumë në drejtim të atyre që i shërbejnë atdheut dhe atyre që janë në fronte të vështira ku rrezikohet edhe jeta e njerëzve. Ky ka qenë viti më i vështirë që kemi pasur, edhe për Europën dhe gjithë vendet fqinje. Por është e domosdoshme që të përfshihet në këtë proces përgatitjeje gjithë pjesa civile, në qendër dhe në territor. Në kemi filluar të punojmë për një reformë të prefekturave, por kjo kërkon angazhimin dhe fuqizimin e kapaciteteve të bashkive dhe njësive administrative”