Populizmi në Europë nuk motivohet vetëm nga Putini, por pasqyron edhe dështimet e elitave

Nga Samuel Ramani/

Ndërsa votuesit çekë shkojnë drejt qendrave të votimit për të zgjedhur një parlament të ri, presidenti Petr Pavel ka lëshuar një paralajmërim të zymtë.

Nëse miliarderi populist i djathtë, Andrej Babis, do të zgjidhej kryeministër, sovraniteti i Çekisë do të vihej në rrezik. Ky deklarim përputhet fort me narrativat mbizotëruese të mediave perëndimore për zgjedhjet çeke. Por, a është ky paralajmërim tepër alarmist dhe a e shtrembëron atë që është realisht në rrezik?

Pavel theksoi vendosmërinë e Rusisë për të rikthyer sferën e saj historike të ndikimit në Europën Qendrore dhe Lindore dhe nënvizoi rëndësinë e zgjedhjes së një qeverie të qëndrueshme dhe kompetente, të lidhur ngushtë me Bashkimin Europian (BE) dhe NATO-n.

Një këqyrje fillestare sugjeron se shqetësimet e Pavelit kanë baza të forta: teksa afrohen zgjedhjet e 3-4 tetorit, makineria e dezinformimit rus në Republikën Çeke ka operuar me intensitet maksimal.

Grupi analitik çek, Online Risk Labs, ka zbuluar se 286 llogari në TikTok që përkrahin narrativat pro-ruse kanë marrë 5-9 milionë shikime. Përveç sulmeve të zakonshme ndaj synimeve të BE-së dhe NATO-s, teoritë konspirative kanë fituar terren; më e çmendura ndër to është ideja se BE po promovon kanibalizmin si një zgjidhje ndaj ndryshimeve klimatike.

Ndërsa dezinformimi rus është fokusuar kryesisht në mbjelljen e mosbesimit ndaj demokracisë çeke dhe në amplifikimin e partive ekstremiste, ai gjithashtu ka plotësuar retorikën e Babisit: ky i fundit ka premtuar të heqë nismën e furnizimit me municione për Ukrainën dhe ka pretenduar se ndihma për refugjatët ukrainas po i heq fonde të vlefshme familjeve çeke. Nëse Babis qeveris sipas këtyre linjave, Republika Çeke mund t'i bashkohet Sllovakisë dhe Hungarisë si pengesë për asistencën afatgjatë ushtarake të BE-së ndaj Ukrainës.

Megjithatë, është një thjeshtëzim i tepërt të thuhet se ringritja e Babisit lidhet kryesisht me dezinformimin rus. Ngjitja e tij në postin e kryeministrit në vitin 2017 u shty, para së gjithash, nga rezistenca çeke ndaj kuotave të refugjatëve të BE-së. Këtë herë janë çështjet e përditshme në familje që po ushqejnë mbështetjen për Babisin. Edhe pse kryeministri aktual Petr Fiala e uli inflacionin në 2.5 për qind, pasojat nga rritjet dyshifrore të çmimeve në vitet 2022 dhe 2023 ende ndihen. Rritjet e vogla të pensioneve gjatë periudhës së inflacionit të lartë shmangën një spirale borxhi, por goditën fuqinë blerëse të të moshuarve çekë.

Duke premtuar kufizimin e çmimeve të energjisë, vendosjen e moshës së pensionit në 65 vjeç dhe dhënien e përfitimeve më të mëdha të pensionit, Babis ka joshur çekët e pakënaqur. Mund të kritikohet natyra populiste e këtyre premtimeve dhe kostoja financiare që ato sjellin, por jo ankesat e vërteta që ushqejnë bazën e tij elektorale.

Vulnerabiliteti i elektoratit çek ndaj dezinformimit rus pasqyron skepticizmin e tyre latent ndaj institucioneve kyçe. Një sondazh i OECD-së në vitin 2024 zbuloi se vetëm 19 për qind e çekëve kanë nivele të moderuara ose të larta besimi tek qeveria. Ky tregues është shumë poshtë mesatares së OECD-së, që është 39 për qind.

16 faqet më të njohura të dezinformimit në Çeki prodhojnë më shumë përmbajtje se total i bashkuar i mediave tradicionale. Ndërkohë që Fiala ka ecur me pasion duke e paraqitur fushatën zgjedhore si një garë mes Perëndimit demokratik dhe Lindjes joliberale, ai shpërfill faktin se Kremlini ushqehet me institucionet e dobëta qytetase, por nuk i krijon ato vetë.

Ndërsa retorika e Babisit për Ukrainën është shqetësuese, e kaluara e tij sugjeron se ajo mund të mos përkthehet gjithmonë në politika konkrete. Kur Rusia u përfshi në shpërthimet e vitit 2014 në depozitat e municioneve në Vrbetice, Babisi mbikëqyri dëbimin e mbi 80 diplomatëve dhe spiunëve rusë.

Kjo krizë bëri që Republika Çeke të etikohej nga Rusia si një nga dy "vendet jomiqësore" të para, në maj të vitit 2021. Meqë në Republikën Çeke ekziston një konsensus i gjerë mbi nevojën për t'iu kundërvënë kërcënimit rus, dezinformimi i sponsorizuar nga Kremlini ka jehonë të kufizuar në momente kyçe.

Nëse Babisi fiton dhe formon një koalicion të qëndrueshëm me partinë e ekstremit të djathtë SPD ose me bllokun e ekstremit të majtë Stacilo, në Moskë do të ketë festime. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se dezinformimi rus në Çeki ka pasur sukses aty ku ka dështuar në Rumani dhe Moldavi. Përkundrazi, kjo na tregon më shumë për shkëputjen e elitave dhe kalbëzimin institucional në sistemin çek, një shenjë paralajmëruese për demokracitë e tjera europiane. / The Telegraph - Syri.net