Berati mirëpret edicionin e katërt të Festivalit të Verës 'Wine & Stories'

Në qytetin e “një mbi një dritareve” ka startuar mbrëmjen e djeshme edicioni i katërt i Festivalit të Verës “Wine & Stories”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të promovimit të verës shqiptare dhe traditës kulturore.

Për tre netë me radhë, Berati do të shndërrohet në qendër të degustimit, muzikës dhe turizmit elitar, duke mbledhur 50 kantina vere nga Shqipëria, Kosova dhe komunitetet arbëreshe në Itali.

Ky festival, që tashmë është kthyer në një traditë për qytetin, synon të promovojë agroturizmin dhe verërat shqiptare, si dhe të forcojë bashkëpunimin mes prodhuesve vendas dhe atyre të rajonit.

Në sheshin qendror të qytetit, kantinat pjesëmarrëse kanë ekspozuar prodhimet më cilësore të verërave dhe rakive, duke ofruar mundësinë për degustim për qytetarët dhe turistët e shumtë që kanë mbushur Beratin.

Vizitorët janë shprehur të mahnitur nga cilësia dhe shumëllojshmëria e verërave shqiptare, ndërsa për prodhuesit, ky event është një mundësi e vlefshme për të shpalosur punën e tyre dhe për të ndarë eksperienca me kolegët.

Gjatë tre netëve të festivalit, janë parashikuar aktivitete të shumta si degustime, gara mes kantinave, ndarje çmimesh për verërat më të mira, si dhe koncerte live që do t’i japin jetë qytetit muze.