Monumentet e kulturës në Gjirokastër në rrezik, problemet e pronësisë kërcënojnë mirëmbajtjen e tyre

Në qytetin muze të Gjirokastrës ndodhen aktualisht 55 monumente kulture të kategorisë së parë dhe 320 të kategorisë së dytë, por mirëmbajtja e tyre vijon të përballet me vështirësi.

Drejtoria e Monumenteve ka nisur kryerjen e disa riparimeve të vogla, megjithatë një ndër problemet kryesore mbetet pronësia e shpërndarë e objekteve historike, që e pengon ndërhyrjen ligjore.

“Ne një pjesë të objekteve nuk ekzistojnë më titujt e pronësisë tek individët, gjë që e bën të pamundur ndërhyrjen e institucionit në bazë të akteve ligjore në fuqi. Përveç këtyre, një sërë banesash që nuk janë monument kulture, por pjesë e ansamblit historik, kërkojnë gjithashtu ndërhyrje,”  është shprehur drejtori i Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, Ardis Duka.

Ai shton se është e domosdoshme një ndërhyrje e qartë ligjore për çështjen e shpronësimeve, pasi rritja e kërkesës për objekte të tilla, sidomos në kushtet kur Gjirokastra është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm turistik, e bën këtë çështje edhe më urgjente.