Milinkovic, pas turpërimit në derbi: Sikur jemi të mallkuar, do të flas me bordin për të ardhmen time
Partizani doli i mundur me shifrat 3-0 në derbin ndaj Tiranës, duke regjistruar disfatën e katërt radhazi dhe duke shtuar presionin mbi pankinën e trajnerit Mladen Milinkovic. Pas ndeshjes, tekniku serb u shpreh i zhgënjyer nga situata që po kalon skuadra dhe lëshoi disa komente të forta mbi mungesat, dëmtimet dhe të ardhmen e tij.
“E kishim përgatitur ndeshjen mirë dhe kërkonim një rezultat pozitiv pas tri humbjeve radhazi. Nuk e di pse ndodhin disa gjëra, sikur jemi të mallkuar. Humbëm Alban Hoxhën dhe Prekën me dëmtim, nuk i dëshironim këto zëvendësime. Po mundohem të gjej arsyen pse këto dy muaj po na shoqërojnë këto probleme.
Nuk mund të them se lojtarët nuk dhanë maksimumin, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç duhet. Sigurisht, nuk është Partizani më i mirë, pasi kemi mungesa të rëndësishme. Skuka u fut në pjesën e parë megjithëse ka vetëm një javë stërvitje me grupin.
Formacioni stabël është një problem i madh. Në gjashtë ndeshje kam pasur gjithmonë dy zëvendësime të detyruara. Mund të duket si arsyetim, por është realiteti. Kur humb, të gjithë kanë të drejtë të flasin.
Pozicioni im? Do të takohem me bordin dhe do të dëgjoj se çfarë kanë për të thënë. Normalisht, kur humb katër herë radhazi dhe pëson 11 gola, gjithçka vihet në pikëpyetje”, u shpreh Milinkovic.