Jepuni fund gjepurave me Rusinë

Presidenti Trump kohët e fundit e ka quajtur Uashingtonin më tepër kanal ujërash të zeza se sa moçal. Nisur nga era e qelbur, që shtohet çdo ditë, e njëanshmërisë dhe partizanizmit të dukshëm që rrethon hetimin për Rusinë, ai ka të drejtë.

Dikush mund të mendonte se pas më tepër se gjashtë muajve me këto gjepura për Rusinë do t’i kishin dhënë fund. Por kjo është ajo çka Partia Demokratike bën në vend të politikës.

Kori Demokrat i lëvdatave për këshilltarin special Robert Mueller ka arritur delirin. Përfaqësuesi i Kalifornisë, Adam Schiff, kryedemokrati në Komisionin e Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, e bekoi Mueller me një mandat të gjerë pa precedent, duke shkruar në Twitter se është “detyrë e tij” të hetojë “mbi çdo çështje që ngrihet”. Lideri Demokrat i Senatit Chuck Schumer tha se pushimi i Muellerit do të ishte një “kataklizmë”.

Qurravitjet liberale për administratën e Trumpit janë të pritshme, por hipokrizia mbi hetimin “e pavarur” për Rusinë është qesharake. Në pak muaj, personi që dikur u fajësua për disfatën e Hillary Clinton, James Comey, është shndërruar në një shërbëtor publik guximtar që nisi këtë hetm të rëndësishëm.

Hiqini disa shtresa hetimit të Muellerit dhe do të shihni që është krejt partizan. Vetëm në Uashington ky hetim shitet si “i pavarur”.

Disa anëtarë të ekipit të Muellerit tregojnë njëanshmëri të dukshme. Jeannie Rhee ka dhuruar donacione për Clinton; ajo përfaqësoi Clinton Foundation më 2015 në një çështje shantazhi dhe vetë Hillary Clinton në procesin që kërkont akses në emailin e saj. Andrew Weissmann ka dhuruar gjashtë herë për grupet e lidhur me Obaman. James Quarles ka dhuruar donacione për më tepër se një duzinë Komitete të Aksionit Politike Demokrate që nga vitet ’80.

Jared Kushner dhe Donald Trump Jr. kanë shfaqur integritet e transparencë. Të dy kanë vënë vullnetarisht në dispozicion të publikut më tepër informacion nga sa u është kërkuar. Demokratët, liberalët e Hollywoodit dhe media informative majtiste kërkojnë të gjejnë komplote për të justifikuar idhtësinë e tyre zgjedhore. Ndërkaq, Presidenti Trump dhe administrata e tij po punojnë për ta bërë Amerikën përsëri të madhe.

Është gjynah që amerikanët hapin kanalet e lajmeve për të dëgjuar të njëjtën histori të lodhur me Rusinë me orë, ditë e muaj të tërë, aq sa të bën për të vjellë. Këto nuk janë lajme, kjo është gjueti shtrigash.

Marrë nga USA Today - Përgatiti: SYRI.net