Fotoreporteri francez Antoni Lallican vritet në një sulm me dron në Ukrainë

Fotoreporteri francez, Antoni Lallican, është vrarë të premten në mëngjes gjatë një sulmi me dron në rajonin e Donbasit, Ukrainë.

Lajmi është konfirmuar nga Federata Ndërkombëtare dhe ajo Evropiane e Gazetarëve (IFJ-EFJ), të cilat dënuan ngjarjen duke e cilësuar si një “krim lufte” dhe kërkuan nisjen e një hetimi për të identifikuar autorët.

Sipas autoriteteve, sulmi ndodhi rreth orës 09:20 me orën lokale. Në të njëjtën ngjarje u plagos edhe gazetari ukrainas Heorgiy Ivanchenko. Të dy gazetarët kishin të veshura pajisje mbrojtëse dhe jelekë antiplumb me mbishkrimin “Press”.

Ky është rasti i parë i raportuar ku një gazetar humb jetën nga një sulm me dron në Ukrainë.

Antoni Lallican, me banim në Paris, ishte me mision për agjencinë e fotogazetarisë Hans Lucas, ndërsa punimet e tij janë botuar në media të njohura si Le Monde, Le Figaro, Libération, Mediapart, Der Spiegel, Zeit dhe Die Welt.