‘Po unë për të firmosur paguhem’- IRIQI bisedon me presidentin Begaj

Iriqi:- Pse nuk prite Gjykatën Kushtetuese, por firmose menjëherë për Veliajn?

Begaj:- Po unë për të firmosur paguhem, o Iriq. Po mos firmos më heqin. Kupton?

Iriqi:- Po mbase Gjykata e shpall të paligjshëm shkarkimin e tij. Ç’do të ndodhë atëherë?

Begaj:- Këtë pyetje bëja Ramës.

Iriqi:- Deri sot nuk ke kthyer asnjë ligj. Normale të duket?

Begaj:- Kam kthyer një, kam kthyer.

Iriqi:- Kë ligj?

Begaj:- Në fakt ma kanë kthyer, jo e kam kthyer. Qe një ligj që e firmosa, por në kryeministri çova dy kopje. Një normal që ma kthyen. E sheh si është e vërteta. Madje më tej ndodhi…

Iriqi:- Çfarë ndodhi më tej?

Begaj:- Kopjen ma solli vetë Rama. Ka qenë mars dhe të dy pimë nga një gotë shampanjë si për vit të ri.

Iriqi:- Si për vit të ri në mars?

Begaj:- Po, po. Se Rama nuk kishte ardhur më parë te unë e andaj sa erdhi ai festuam vitin e ri. Edhe 28 nëntorin unë e festoj veç kur vjen ai. Qoftë dhe në fund të dhjetorit.

Iriqi:- Po ç’kërkon Rama kur vjen? Se ti firmos çdo gjë.

Begaj:- Në fakt unë i kam dhënë atij nja 200 fletë të firmosura. Mbaji t’i kesh, i kam thënë. Se ndodh që nuk jam unë ndonjë ditë. Ja më zë gripi e bëj ndonjë operacion e ty të duhet dekreti. I mori, s’ma prishi. Në përgjithësi më respekton, nuk qahem.

Iriqi:- Po veç dekreteve, bëni biseda të lira?

Begaj:- Bëjmë plot. Ka humor Rama, më sjell ndër mend filmat e kinostudios. Së fundi më tha, a je dakord Barom ta prishim presidencën e të bëjmë një kullë në vend të saj? O po nxirri themelet, i thashë dhe nxora stilografin për firmë. Lere se e kam bërë me ato letrat me vulë e firmë që më ke dhënë, më tha. Po u tregua bujar.

Iriqi:- Pse?

Begaj:- Një kat te kulla që do bëhet e ke ti si presidencë, më tha. Po ç’e dua një kat unë mo, i thashë. Një dhomë e kuzhinë boll e kam. Se tre veta jemi efektivë, unë, shoferi dhe roja.  

Iriqi:- Ai çfarë tha?

Begaj:- Ok, zgjidh një me pamje nga Dajti atëherë, më nxiti.

Iriqi:- Po ti?

Begaj:- Do e marr me pamje nga kryeministria, i thashë vetes. Që sa ta shoh Ramën, të më hipi dëshira për sa më shumë firma në letra të bardha. Le t’i ketë ai, që të punojë i qetë, të mos pengohet në punën e tij heroike dhe madhështore për gjëra të vogla. Për ndonjë firmë a dekret.