Leclerc shpëton në Singapor, Ferrari ndëshkohet me gjobë

Charles Leclerc nuk do të përballet me penalizime pas incidentit të ndodhur në “pit lane” gjatë provave të lira të dyta të Çmimit të Madh të Singaporit. Drejtuesit e garës shqyrtuan rastin pas kontaktit me McLaren-in e Lando Norris, por vendosën të mos ndëshkojnë pilotin monegask. Megjithatë, Ferrari u gjobit me 10 mijë euro për incidentin.

Gjithçka ndodhi pas rikthimit në pistë të Leclerc, kur pas një komunikimi jo të qartë me shefin e mekanikëve, ai doli nga bokset në momentin që dy McLaren po kalonin me shpejtësi të kontrolluar. Përplasja mes SF-25 të Leclerc dhe makinës së Norris ishte e lehtë, por mjaftoi për të dëmtuar krahun e përparmë të britanikut, që më pas u detyrua ta ndërrojë.

Norris shpërtheu në radio duke kërkuar menjëherë ndërhyrjen e komisarëve, ndërsa pamjet treguan konfuzionin në komunikimin mes pilotit dhe mekanikëve të Ferrarit.

Në fund, Drejtoria e Garës vlerësoi se incidenti nuk ishte përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Leclerc, por e ekipit, i cili tani do të paguajë gjobën për këtë episod që shkaktoi tensione në ‘pit lane’.