Dronët mbi aeroportin e Mynihut/ Kryeministri bavarez: T’i rrëzojmë sapo hyjnë në Gjermani

Rrëzimi i menjëhershëm i dronëve që shkelin hapësirën ajrore kombëtare ose pengojnë navigimin ajror është kërkuar këtë të premte nga kryeministri i shtetit të Bavarisë, Markus Söder.

Ai lëshoi thirrjen pas shfaqjes së dronëve në Mynih mbrëmjen e djeshme, një incident ky që shkaktoi mbylljen e aeroportit të qytetit.

Në të njëjtën kohë, BILD, duke cituar burime sigurie, raporton se bëhej fjalë për dronë ‘të mëdhenj’ dhe të paktën një ‘avion me krahë fiks’, si ai i parë javën e kaluar mbi Kiel, që fluturuan mbi Mynih Sipas BILD avioni u zhduk para se policia të mund të ndërhynte.

‘Incidentet me dronë demonstrojnë presionin e madh. Që tani e tutje, rregulli duhet të jetë: ‘Rrëzojini në vend që të prisni dhe bëjeni vazhdimisht!’. Policia jonë duhet të jetë në gjendje të rrëzojë dronët menjëherë’, tha kryeministri i Bavarisë, Markus Söder.

Ai po ashtu bëri thirrje për përdorimin e sistemit ‘Kupola e Hekurt’ në hapësirën ajrore gjermane.

‘Kemi nevojë për mbrojtje efektive për të gjithë infrastrukturën dhe instalimet tona ushtarake. Nuk ka të bëjë vetëm me parandalimin e spiunazhit. Infrastruktura jonë duhet të mbetet funksionale në çdo kohë. Kemi nevojë për sovranitet mbi hapësirën tonë ajrore’, theksoi Söhner, duke shtuar se qeveria e shtetit tashmë po harton një ligj të përshpejtuar, duke i bërë thirrje qeverisë federale të përshtatë Aktin e Sigurisë së Aviacionit sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas informacioneve zyrtare të mediave gjermane deri më tani nuk ka qenë e mundur të përcaktohet se kush qëndron pas sulmit të fundit me dron, i cili la në tokë 17 avionë, duke i ndalur fluturimet rreth 3,000 pasagjerëve. Aeroporti i Mynihut nisi të funksionojë normalisht që nga ora 05:00 e mëngjesit të së premtes.