'E paramenduar'/ Abilekaj: Batutat e Ramës dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe rrezikojnë marrëdhëniet me SHBA-në
Gjatë një interviste me moderatorin Edvin Parruca në edicionin e pasditës në Syri Tv, gazetari Enton Abilekaj u shpreh se batutat e kryeministrit, të paramenduara apo jo, kanë kaluar kufijtë e humorit dhe kanë krijuar një situatë të ndërlikuar për imazhin e Shqipërisë. Ai theksoi se kryeministri sillet me dy fytyra si polic në Shqipëri dhe si klloun jashtë vendit dhe se kjo sjellje po rrezik pozicionin e vendit në mardhënje me SHBA-në
Abilekaj paralajmëroi se pasojat e kësaj situate mund të jenë të rënda, duke rrezikuar marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara, dhe se kjo mund të krijojë një ngërç që nuk i shkon për shtat vendit.
Ai theksoi rëndësinë e seriozitetit dhe përgjegjësisë në përfaqësimin e Shqipërisë, duke shtuar se ndonëse përgjegjësia bie mbi autorin e batutës, dëmi kryesor dhe më i rëndësishëm është ai që i shkaktohet Shqipërisë dhe jo vetëm Edi Ramës.
Pjesë nga deklarata:
Nuk e di nëse është batutë e paramenduar, por përgjithësisht ai i ka të paramenduara këto, dhe fakti që e përsëriti dy herë, edhe për gazetarët jashtë, gjatë Samitit, tregon diçka. Ai insistonte që ajo batutë të bënte xhiron e botës, por mendoj se ndoshta nuk ka menduar për efektin negativ që do të kishte për të. U shfrytëzua shumë nga politika amerikane, sepse mendoi se do të kalonte si humori i një kllouni që shkon në samit dhe bën të tjerët të qeshin. Ai vjen në Shqipëri, sillet si polic, del jashtë dhe sillet si klloun. Ka dy karaktere që ne nuk i njohim. Por ideja është se kjo batutë, pavarësisht dëmit që mund t’i sjellë imazhit të tij, problemi është dëmi që i sjell Shqipërisë.
Ai foli aty si kryeministri i vendit, me këtë u përfshinë të gjithë liderët europianë. Ndoshta duhet të ketë diçka që i ka bërë të gjithë liderët europianë të përfshihen në një tallje me Trump. Mund të jetë një skenar i organizuar, një dalje nga protokolli, që të duket se të gjithë liderët po tallen me Trump.
Ajo që na intereson më shumë është raporti i qeverisë amerikane me qeverinë shqiptare pas kësaj batute, pas shfrytëzimit politik që iu bë asaj. Mund të tronditet, të prishen marrëdhëniet, mund të kemi një ngërç, dhe kjo nuk na intereson.
Unë nuk kam parë ndonjëherë një kryeministër të bëjë kllounin. Këto janë gjëra që ne nuk duhet t’i lejojmë, sepse nuk kemi komoditetin që të përfaqësohemi kështu dhe të krijohet një përshtypje e gabuar. Sepse nëse shihet që një vend drejtohet nga një kryeministër me një nivel të tillë, krijohet një ide e gabuar se Shqipëria është një vend i dalë nga kontrolli dhe se kryeministri nuk pyet për askënd, që ndoshta është e drejtë. Uroj që kjo të mos ketë pasoja për vendin, por për Ramën nuk ka rëndësi. Rama në reagimin e tij pranoi se kjo është përdorur shumë politikisht, dhe kjo do të thotë që përgjegjësia bie mbi autorin.