Pezullohet nga puna shefi i krimeve në Përmet! Dinte për abuzimin e 16 vjeçares nga polici i tij dhe nuk mori asnjë masë
Shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Përmet është pezulluar nga puna me urdhër të prokurorisë së Gjirokastrës. Shkak është bërë historia e abuzimit të 16-vjeçares nga njerku i saj efektiv policie.
Mësohet se Çenko kishte dijeni për abuzimin seksual që po përjetonte e mitura dhe nuk kishte marrë asnjë masë për të denoncuar efektivin e tij.
Për të gjithë punonjësit e policisë përfshirë dhe Çenkon, ku policia ka patur të dhëna se kanë qenë të implikuar në skandalin seksual, janë vënë në dijeni strukturat e Drejtorisë Rajonale të AMP Vlorë-Gjirokastër.
Ngjarja u zbulua më 18 shtator, pasi në rrjete sociale nisën të qarkullonin mesazhe shantazhuese për abuzimin seksual të 16-vjeçares nga Artur Ago. Ndërsa miqtë Kristian Prifti dhe Isi Pasho 46 dhe 27 vjeç shantazhuan Agon duke i kërkuar 12 mijë euro për të mos publikuar një video në një emision investigativ.
Njoftimi
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë - Gjirokastër) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjiroksatër, e cila ka caktuar masën e sigurisë të karakterit ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësin e policisë N/Komisar DH. Ç., me detyrë (në kohën e kryerjes së veprës penale) Shef Seksioni në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Përmet. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Ekzekutimi i urdhrit u bë në vijim të hetimeve të thelluara lidhur me procedimin penal të vitit 2025, ku gjatë marrjes së deklarimeve dhe veprimeve të tjera hetimore ka dyshime të arsyeshme për shkelje nga ana e oficerit të Policisë.
Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanava dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.