Tallja me Trump/ Kedhi: Qëndrim i përsëritur i Ramës! Në Tiranë, evente nga e majta ekstreme
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Nikola Kedhi, i ftuar në SYRI TV me Edvin Parrucën, ka folur për skandalin diplomatik të kryeministrit Edi Rama, i cili u kap nga kamerat duke tallur Presidentin e ShBA, Donald Trump, nën shoqërinë e presidentit francez dhe atij azerbajxhanas.
Sipas Kedhit, ajo nuk ishte një batutë e Ramës, por një qëndrim që kryeministri e beson pasi është i përsëritur që në vitin 2016 me deklaratën në CNN, si dhe me aktivitetet e ekstremit të majtë që po zhvillohen në Tiranë, siç ishte rasti ku paraqitën presidentin Trump si Hitleri.
Kedhi: Nuk mu duk se ishte batutë, por një qëndrim i përsëritur i kryeministrit shqiptar dhe i shumë të tjerëve që i përkasin rrymës së të majtës radikale, ekstreme, një rrymë sorosiane, pra një qëndrim ndaj presidentit Trump. Duke e nisur që në vitin 2016 me deklaratën në CNN, në qëndrime të tjera apo qëndrim edhe më zyrtare ndaj ndikimit amerikan në Europë, që kryeministri i ka bërë në disa forume ndërkombëtare.
Dukshëm ishte një deklaratë që nuk duhej bërë në asnjë forum, dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për superfuqinë botërore që janë ShBA-të dhe aq më tepër që bëhet ndaj një figure si presidenti Trump.
Kjo u pa edhe në reagimin e presidentit Macron me atë dackën që i dha në fund Ramës dhe kjo tregon më mirë se sa të gjitha shpjegimet që mund të japim.
Macron ka pasur ulje ngritje në marrëdhëniet e tij me presidentin Trump dhe është e sigurtë që nuk i intereson që të asociohet me asnjë që është në anën e gabuar të presidentit të ShBA.
Pasojat nuk mund të jenë të mira, pasi është një qëndrim gati armiqësor me administratën amerikane.
Janë trajtuar disa teza, që mund të jetë bërë me dashje, duke pasur parasysh dhe natyrën e kryeministrit për të tërhequr vëmendjen dhe për tu kthyer në titull në media të ndryshme amerikane dhe europiane, dhe nëse e ka bërë me dashje i ka dalë nga kontrolli. Dhe nga ana tjetër mund të jetë edhe... se edhe disa media edhe ndërkombëtare e paraqiten si një situatë kur ke një mikrofon ndezur dhe nuk e di që është ndezur dhe jep një mendim tëndin të sinqertë, por në të dyja rastet është një qëndrin. Jam i bindur që e beson edhe vetë këtë gjë për presidentin Trump.
Janë edhe eventet që bëhen në Tiranë nga e majta ekstreme radikale, ku presidenti Trump paraqitet si Hitler.