Vlorë/ U vetëplagos aksidentalisht me armë, arrestohet 36-vjeçari dhe shoku i tij
Në orët e para të së premtes, në Spitalin Rajonal të Vlorës është paraqitur i plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi O.A., 36 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas hetimeve të shpejta nga Seksioni i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, u zbulua se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, pranë “shkallëve të varrezave të dëshmorëve”, ku 36-vjeçari është vetëplagosur aksidentalisht me pistoletë.
Në vendngjarje ishte edhe shoku i tij, shtetasi G.M., 42 vjeç, i cili pas ngjarjes ka fshehur armën dhe bashkë me të plagosurin nuk kanë kallëzuar ngjarjen. Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë të dy personat: O.A., për “Armëmbajtje pa leje”; G.M., për “Armëmbajtje pa leje”, “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Policia po punon për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit që u përdor në ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.