Dita kur Etiopia sfidoi Musolinin dhe bashkoi botën afrikane

Me 3 tetor 1935, Etiopia, një nga dy kombet e vetme afrikane të pavarura në atë kohë, u pushtua nga Italia fashiste e Benito Musolinit. Italianët kërkonin hakmarrje për disfatën e tyre poshtëruese ndaj Etiopisë mbi 40 vite më parë dhe kryen mizori të panumërta ndaj këtij shteti të pavarur afrikan.

Gaz helmues, bombardime ajrore, flakëhedhës dhe kampe përqendrimi u përdorën kundër popullit etiopian të keqpajisur.

Indinjata e popullsisë me ngjyrë në mbarë botën u bashkua. Lidhja e Kombeve, pararendësja e OKB-së, u kritikua ashpër për furnizimin me armë të Italisë dhe jo të Etiopisë. Veprime të tilla konfirmuan dyshimin e afrikanëve të zinj se lufta kishte motiv racor dhe synonte të shuhej drita e fundit e fuqisë afrikane në botë.

Nga Kingstoni në Johanesburg, nga Detroiti në Ganë, nga Port-of-Spain në Paris, burra dhe gra me ngjyrë u ofruan të shkonin të luftonin në mbrojtje të Etiopisë. Dhe ndërsa betejat zhvilloheshin mes etiopianëve dhe italianëve në Afrikë, përplase shpërthyen midis njerëzve me ngjyrë dhe italianëve në rrugët e Nju Jorkut. Në Afrikën e Jugut, punëtorët me ngjyrë nisën një marshim të gjatë nëpër kontinent për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve të tyre afrikanë në Etiopi.

Gjetiu, ish-ushtarakë braktisën shtetësinë e tyre europiane dhe amerikane për të vënë në shërbim përvojën e tyre ushtarake në mbrojtje të Etiopisë. Perandori etiopian në mërgim, Haile Selassie, u bë një figurë pothuajse legjendare për shumë njerëz. Kurrë s'ishte parë një ndjenjë kaq e fuqishme e panafrikanizmit në mbarë botën.

Dhe megjithëse Italia ia doli ta pushtonte kombin afrikan, njerëzit me ngjyrë kudo në botë do ta vazhdonin betejën deri sa Etiopia të ishte përsëri e lirë.