'Jam penduar që e vrava babin, po nuk e kthej dot pas' - Fjalët prekëse të Mirald Metallarit para gjyqit

Mirald Metallari, djali nga Bathorja që tronditi opinionin tre ditë më parë duke vrarë babanë dhe plagosur të ëmën, ka dalë sot para gjyqit për masën e sigurisë.

Ai ka deklaruar se nuk donta ta vriste babanë, se ishte penduar, por se tani asgjë nuk mund të kthente më pas. Nga gjyqi, i ka dërgjuar një mesazh të ëmës, që po kurohet në spital:

"Jam penduar që e vrava babin, ishte shtylla e familjes, ishte mbështetja kryesore. E di gabimin që kam bërë. Shkatërrova familjen time dhe i mora jetën babait. E di që nëna s'do më falë, por i kërkoj të bëhet e fortë dhe të kujdeset për motrat. Jam penduar shumë, por nuk e kthej dot pas..."

Gjykata e Tiranës i ka dhënë më pas masën e sigurisë "Arrest me burg".

Mesditën e datës 24.07.2017, Mirald Metallari dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë tip pistoletë babain e tij, shtetasin Miftar Metallari, si edhe ka plagosur nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari.

Me marrjen e njoftimit është formuar grupi hetimor, është shkuar në vendin e ngjarjes dhe nga kontakti i parë është mësuar se shtetasi Mirald Metallari, pas një konflikti çasti që ka patur me të atin, shtetasin Miftar Metallari, ka marrë armën e këtij të fundit dhe ka shtënë disa herë në drejtim të tij duke e lënë të vdekur.

Po ashtu, në momentin që ka qenë duke shkuar për të kryer aktin, përpara i ka dal nëna e tij shtetasja Nurie Metallari e cila ka dashur ta pengojë të kryejë aktin, por Miraldi ka shtënë në drejtim të saj. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 6 gëzhoja pistolete.

Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, ka rezultuar se shtetasi Mirald Metallari menjëherë pas ngjarjes është larguar me një automjet të markës “Ford”, për të transportuar nënën e tij, shtetasen Nurie Metallari në spitalin e traumës Laprakë.

Me marrjen e këtij njoftimi, nga ana e Policisë u bë ndalimi i mjetit në rrugën “Lord Bajron, ku njëkohësisht u bë edhe ndalimi i shtetasit Mirald Metallari si dhe është bllokuar arma e zjarrit tip pistoletë, model “TT”.

Është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime në praninë e avokatit të zgjedhur kryesisht, shtetasi Mirald Metallari, i cili ndër të tjera ka deklaruar se:

Më datë 24.07.2017 rreth orës 06:00 të mëngjesit, ka ndihmuar të atin (Miftarin) për të bërë disa punime në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kur ka qenë duke punuar, rreth orës 11:00, në një moment i është derdhur karroca e mbushur me llaç në tokë. I ati e ka gjuajtur me grusht në pjesën e buzës dhe pas këtij veprimi, Mirald-i ka hyrë në banesë, ku aty kanë qenë 2 (dy) motrat e tij, të cilat kanë dal jashtë dhe ky ka shkuar te dhoma e të atit.

Aty ka marrë armën e shërbimit të babait dhe pasi ka dal me armë në dorë te dera, ka vërejtur të ëmën shtetasen Nurie Metallari, e cila ka tentuar ta ndaloj dhe në këtë moment ai e ka shkrepur armën me drejtim nga dyshemeja. Nëna e tij ka dashur përsëri ta ndaloj, por Miraldi ka qëlluar me armën e zjarri në drejtim të saj në një distancë prej 3 (tre) metrash.

Ndërkohë, i ati, Miftari, ishte duke ardhur në drejtim të Mirald-it, ky i fundit ka hapur zjarr edhe ndaj tij duke mbaruar të gjithë fishekët që kishte në karikatorin e pistoletës. Më pas Mirald-i thekson se ka shkuar te e ëma, e cila ishte shtrirë përtokë në verandën e shtëpisë, e ka marrë atë dhe e ka futur në makinën e tij, me qëllim për ta dërguar në spital.

Me vete ka patur edhe armën e zjarrit që kishte kryer ngjarjen. Ai është nisur për në Spitalin e Traumës Laprakë, kur ka qenë në hyrje të rrugës për te spitali e ka ndaluar një patrullë policie, dhe e ka shoqëruar atë në mjetin e policisë, ndërsa të ëmën e kanë dërguar në Spitalin e Traumës Tiranë.

Në deklarimin e tij ky shtetas thekson se armën ua ka dorëzuar vet punonjësve të policisë. Në shpjegimet e tij ky person sqaron se nuk ka patur konflikte të mëparshme me të atin.