Barduani: Ka shqetësime në aspektin e sigurisë, rruga drejt paqes s’është ushtarake por politike
Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, në fjalën e tij të fundit si komandant i KFOR-it derisa theksoi se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 1999, ka shtuar se ka shqetësime për humbjen e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura.
“Ende ka shqetësime për humbjen e sigurisë si shkak i disa çështjeve të pazgjidhura dhe për këtë arsye, roli i KFOR-it mbetet thelbësor dhe kritik për tu parë si pjesë integrale e angazhimit të mëtejmë të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare”, tha Barduani.
Ai potencoi se NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve dhe KFOR-i po bën pjesë e tij.
“NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve dhe KFOR-i po bën pjesë e tij. Dialogu është korniza për të zgjidhur problemet dhe për të arritur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për stabilitetin afatgjatë.
Për të shkuar përpara, siç e ka përmendur edhe sekretari i NATO-s, Mark Rutte është e rëndësishme që Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë marrëveshjen e arritur dhe që të dy palët të tregojnë fleksibilitet për të bërë kompromiset e nevojshme. Si ushtar jam plotësisht i vetëdijshëm se luftërat gjithmonë lënë plagë të thella prapa vetes”, tha Barduani.