Italia e paralizuar nga protesta kombëtare për Gazën
Nga Alba Kepi/
Sot Italia është përfshirë nga një grevë e përgjithshme kombëtare e thirrur nga sindikatat më të mëdha si CGIL, USB, CUB dhe SGB, në shenjë solidariteti me Global Sumud Flotilla dhe popullin palestinez.
Protestat masive janë shtrirë në të gjitha qytetet kryesore të vendit duke shkaktuar kaos në transport dhe shërbime publike. Në stacionin Termini të Romës dhe në Napoli trenat kanë pësuar anulime dhe vonesa deri në tetëdhjetë minuta, ndërsa shumë linja të transportit lokal janë ndërprerë. Në portet e Livornos dhe Triestes hyrjet janë bllokuar nga manifestuesit, ndërsa në Venezia lidhjet me qendrën historike janë ndërprerë për shkak të manifestimeve. Në Bologna fluturimet e Ryanair janë devijuar drejt Forlì, ndërsa në Brandizzo të Torinos aktivistët e sindikatës Si Cobas kanë bllokuar qendrën e shpërndarjes së Amazon duke penguar daljen e qindra furgonëve të shpërndarjes.
Lëvizja protestuese ka përfshirë gjithashtu shkollat dhe universitetet. Në Pisa studentët kanë hyrë në Shkollën Normale Superiore duke shpallur se asnjë institucion i dijes nuk duhet të qëndrojë në heshtje përballë një gjenocidi dhe duke kërkuar që të ndërpritet çdo bashkëpunim me universitetet izraelite si Tel Aviv University.
Qytetet italiane sot janë mbushur me marshime të gjata e të forta. Në Romë, Milano, Napoli, Palermo, Potenza dhe Aosta mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë me flamuj palestinezë, pankarta dhe slogane si “Stop genocidio” dhe “Free Gaza”. Në Palermo atmosfera ka marrë një ngjyrim të veçantë pasi disa kolektive artistike janë bashkuar me marshimin duke përdorur humorin dhe artin për të ironizuar dhunën; zhonglerë dhe aktorë të veshur si ushtarë kanë udhëhequr pjesën e parë të demonstratës duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve.
Sekretari i përgjithshëm i CGIL, Maurizio Landini, ka deklaruar se qeveria duhet të ishte krenare për qytetarët që sakrifikojnë një ditë pune dhe një pjesë të pagës për të mbrojtur nderin e vendit dhe për të kërkuar respektimin e ligjit ndërkombëtar. Ai ka shtuar se njerëzit që sot janë në sheshe janë ata që paguajnë taksat dhe që mbajnë në këmbë Italinë dhe për këtë arsye duhen respektuar e jo denigruar.
Reagimet e qeverisë kanë qenë të menjëhershme dhe të forta. Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi se greva nuk sjell asnjë përfitim për Palestinën, duke i quajtur protestat të kota dhe të dëmshme për qytetarët italianë. Ministri i Brendshëm Matteo Salvini e ka dënuar ashpër bllokimin e porteve, aeroporteve dhe hekurudhave duke thënë se “e drejta e protestës nuk mund të shndërrohet në shantazh ndaj një vendi të tërë” dhe duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj bllokimeve të paligjshme. Nga opozita, sekretarja e Partito Democratico, Elly Schlein, ka shprehur mbështetjen për manifestuesit, duke theksuar se “zëri i qytetarëve që kërkojnë paqe dhe drejtësi duhet dëgjuar e jo të përballet me shpifje dhe denigrim nga qeveria”.
Italia sot është praktikisht e paralizuar nga veriu në jug. Qytetarë, studentë, të rinj, aktivistë, pèunonjës, familje bashkë kanë mbushur rrugët dhe sheshet duke kërkuar paqe, drejtësi dhe fundin e bllokadës mbi Gazën, ndërsa greva po tregon edhe një herë fuqinë mobilizuese të shoqërisë civile italiane.