Banorët e Levanit në protestë: Tokat tona po na i marrin privatët me padrejtësi, po na lënë pa bukën e gojës

Dhjetra banorë të fshatit Bashkim, njësia administrative Levan, dolën këtë mëngjes të së premtes në protestë, për të shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin e tyre për tokat që po u marrin përmes një firme private.

Banorët thonë se toka e tyre po grabitet për të mbjellë plantacione me shegë, ndërkohë që ata janë pronarë të ligjshëm.

Sipas tyre, tokat i kanë me dokumenta të rregullta, me vendim gjykate, dhe janë të përfituara sipas Ligjit 7501, ku ministria e Bujqësisë ua ka dhënë me afat përdorimi 99 vjet.

“Një pjesë të tokave tashmë janë mbjellë me shegë nga ne, por po na marrin tokat e bukës”, thonë banorët, duke u shprehur të zemëruar për mënyrën se si po vepron kompania.

“Ne jetojmë prej këtyre tokave, është buka e fëmijëve tanë. Nuk mund të lejojmë që një firmë të na i marrë me letra false apo me ndikime nga lart,” – shprehen protestuesit, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për të mbrojtur të drejtat e tyre ligjore.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet shtetërore për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe tokat që i kanë trashëguar ose përfituar me ligj.

Protesta këtë mëngjes thekson tensionet në terren dhe ngre pyetje për mbrojtjen e pronës private në vend, veçanërisht për komunitetet rurale që mbajnë tokat si burim të jetesës dhe siguri ushqimore.