Megaoperacioni 'Gioele' – Syri Tv zbardh në detaje emrat dhe rolet e shqiptarëve në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës

Një nga goditjet më të forta ndaj trafikut të drogës në jug të Italisë ka nxjerrë në pah rolin dominues të shqiptarëve në organizimin e një linje të madhe narkotrafiku me degë në Shqipëri, Spanjë dhe Itali. Operacioni i Guardia di Finanza-s, i koduar “Gioele” dhe i koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Lecce-s, pas një hetimi disavjeçar, ka çuar në identifikimin e 29 të hetuarve, prej të cilëve 17 janë shqiptarë, shumica me role kyçe.

Gazetarja Alba Kepi raporton se hetimi u shtri nga viti 2018 deri në 2020, përfshiu përgjime, ndjekje në terren dhe arrestime në flagrancë, duke përfunduar me sekuestrimin e një sasie kolosale droge: 2.677 kg (kokainë, heroinë, hashash, marihuanë), afro 5 mijë litra vaj hashashi, si dhe 192 mijë euro cash, automjete dhe anije të përdorura për transport.

Kush janë shqiptarët dhe rolet e tyre në këtë megatrafik droge?

Liderët dhe drejtuesit ishin:

Lulezim Kule (Luli/Jimmy, 49 vjeç, rezident në Monteprandone – Ascoli Piceno)
I cilësuar nga hetuesit si koka e organizatës shqiptare, ai mbante kontaktet direkte me furnizuesit në Shqipëri dhe Spanjë. Organizonte transportin ndërkombëtar të kokainës dhe hashashit, si dhe depozitimin në Itali. Kule shihet si figura kryesore që ndërthurte lidhjet mes Shqipërisë, Spanjës dhe Italisë.

Endri Xhumbaraj (33 vjeç) dhe Ervis Xhumbaraj (Visi, 47 vjeç, rezident në Romë, me qëndrim në Lecce)
Të njohur si vëllezërit Xhumbaraj, përshkruhen si hallka lidhëse mes shqiptarëve dhe italianëve të Salentos. Ata menaxhonin logjistikën, shpërndarjen dhe ruajtjen e sasive të mëdha të drogës. Ishin gjithashtu përgjegjës për transportin me automjete drejt vendeve të takimeve me blerësit.

Kujtim Zeqe (Jimmy/Çimi, 53 vjeç, rezident në Lecce)
Një tjetër figurë me peshë, i cilësuar si njeri me ndikim brenda grupit. Kishte kontakte të shumta lokale dhe përdorte lidhjet e tij për sigurimin e logjistikës.

Grupi i trafikut detar:

Alfred Feta (Fredi, 56 vjeç, rezident në Vicchio – Firenze)

Arjan Komini (44 vjeç, shqiptar)

Shkelqim Sinani (Çimi, 48 vjeç, rezident në Copertino)

Kujtim Zeqe (përmendur më lart)

Ky grup ishte i specializuar në sjelljen e marihuanës dhe hashashit nga brigjet shqiptare drejt Italisë. Pika kryesore e zbarkimit ishte provinca e Lecce-s, kryesisht marina e Torre Chianca, ku droga stokohej përpara se të shpërndahej më tej.

Logjistika dhe transporti:

Julian Beqiraj (45 vjeç) – i përfshirë në transportin dhe shpërndarjen e ngarkesave.

Jeta Feta (51 vjeç) – pjesë e rrjetit mbështetës, e lidhur me Alfred Feta.

Erion Kaloshi (44 vjeç) – përgjegjës për pjesë të furnizimit.

Eltion Majkaj (Elti, 37 vjeç) – përfshirë në transport.

Lusjan Mbole (Lusi, 30 vjeç, me banim në Lecce dhe Zagarolo – Romë) – i lidhur familjarisht me vëllezërit Xhumbaraj; kishte rol në ruajtjen dhe transportin e drogës.

Xhjusild Osmenaj (34 vjeç) – ndihmonte në shpërndarje.

Nelm Sacaj (28 vjeç) – shofer dhe transportues.

Sheptim Xhepa (Tmi, 43 vjeç, rezident në Lecce) – mbante përgjegjësi për depot e drogës.

Anila Zeqe (51 vjeç, rezidente në Castri di Lecce) – bashkëpunuese në logjistikë.

Xhuljano Ajazaj (28 vjeç) – më i riu i grupit, i angazhuar kryesisht në transport.

Si funksiononte rrjeti

Kokaina vinte nga Spanja, ndërsa marihuana e hashashi nga Shqipëria. Transporti bëhej me anije nga brigjet shqiptare drejt Salentos dhe me rrugë tokësore nga Spanja drejt Italisë veriore dhe qendrore. Droga fshihej në depo të fshehta në Lecce (sidomos në Torre Chianca) dhe shpërndahej me anë të makinave dhe shoferëve shqiptarë/italianë për shpërndarje në tregjet kryesore italiane. Shitja finale e drogës dorëzohej tek organizata italiane e lidhur me grupe kriminale lokale (siç përmendet edhe klani “Pepe–Penza–Gagliardi”).

Bilanci përfundimtar i megaoperacionit solli 2.677 kg drogë të sekuestruar, 4.975 litra vaj hashashi, 192.640 € para cash, 16 automjete dhe 4 anije të përdorura për trafik, me fitim të parashikuar rreth 6 milionë euro.