Gishti i gjashtë i Diellës

Dikush e quajti pjesë të propagandës së qeverisë Rama për të larguar vëmendjen nga tollovia para portës së “Kushtetueses”  për dekretin e Presidentit që miratoi pa “debat”, iniciativën e Ramës për të përzënë Veliajn.

Të tjerë, edhe analistë që herë paguhen nga inceneratorët e herë nga ndonjë biznes privat thjesht për reklamë, por që zgjat prej vitesh, u munduan të paraqesin thjesht një gabim teknik që ndodh rëndom gjatë implementimit të teknologjive të reja që po zhvillon pa projekt por me shume bujë qeveria e rilindjes.

Kishte edhe nga ata që thoshin që Diella, si inteligjencë që është, do të ketë identitetin e saj e do të ndryshojë pak nga njerëzit normal. Pra, ka dëshirë të ketë 6 gishta e mund t’i ketë. Mund të këtë edhe 10 gishta në një dorë e tre gishta në një këmbë. Asnjë problem nuk është. Mund të jetë pa kokë, pa trup, ose si gjarpër, ose si ujk, ose si lopë e si të dojë ajo ose ai, që i shtyp butonat pas tastierës. Pra, është diçka teknologjike dhe si e tillë mund te shpiket e të ndërtohet si të dojë tekniku i pajisjes. 

Atëherë kur hakerat ta konfiskojnë Diellën, me siguri që do t’i vënë fytyrën e Edi Ramës e në këtë mënyrë kreu i qeverisë të shpërlaje duart me “tenderat” që pritet të miratojë Diella. Përgjegjësia është individuale do të thotë.

Por të kthehemi tek gishti. Me mijëra njerëz ne rrjete u morën me gushtin e gjashtë të Diellës. Harruan bukën e përditshme, punët e përditshme, hallet e “pakta” të përditshme dhe u morën me gishtin e gjashtë të shoqes Diella. Thjesht gabim teknik nuk mund të jetë. Për këtë janë bindur shumica e lundruesve në rrjet por edhe shumica e njerëzve normal në këtë vend.

Simbolika e gishtit të gjashtë është simbolika e përzgjedhur gjithmonë nga Edi Rama. Veliajt i tha se do të varesh një ditë në një nga pemët që po mbjell. Dhe kështu ndodhi, ai po shijon pushimet në qelitë e Durrësit. 

Tani përtej kësaj simbolike gishti i gjashtë është një dorë më e madhe që do te vjedhë paratë e shqiptarëve. Dhe qartësisht Rama si gjithmonë ka pasur si simbolike tallje me njerëzit, kundërpërgjigje të atyre që se duan, nxjerrjen e gishtit. Dhe i ka shtuar një gisht Diellës që të ketë më të lehtë talljen. Kësaj here do ta hani dhimbshëm, edhe ju hajdutë që me qëndroni pranë e qeverisni me mua, por sidomos ata që me votojnë vazhdimisht pa e vrare mendjen dhe duke shitur votën. Se kur e shet votën nuk ke të drejtë as të kërkosh llogari për asgjë. Ai të ka blerë dinjitetin dhe pushtetin, prandaj duhet heshtur.

Pra, gishti i gjashte i Diellës është gishti i Edi Ramës që shqiptarët kanë 13 vjet që e shikojnë si simbolin e një qeverie të kontrolluar thellësisht, dhe një diktature që po instalohet butësisht me propagandë, me llogje ndërkombëtarësh e më teknologji herë me 5 e herë me 6 gishta.

Gishti i 6 është ai që do kontrollojë ato për të cilat u krijua Diella. Pra, paratë e shqiptarëve. Dhe Edi Rama i cili shpiku 10 përqindëshin, 20 përqindëshin nuk mund të pranonte që Erion Veliaj me bandën e tij të marrte 100 përqind e të mos paguante të paktën 20 përqind tek pronari i padeklaruar i Diellës. Tani gishti i tij i shtuar tek dora e Diellës do të shtypë lirisht tastierat që do t’i japin atij kontroll të plotë mbi financat e shtetit. Dhe nëse nuk bën pjesë tek grupi i çadrës së tij, do të marrësh buzëqeshjen “natyrale” të Diellës. Atë që marrin vazhdimisht shqiptarët nga mëngjesi në mëngjes. Dhe gishti i gjashtë i Diellës do vijojë të deklarojë në takimet ndërkombëtare se Evropa ka shumë për të mësuar nga ne.