Dronë të paidentifikuar mbyllin sërish Aeroportin e Mynihut, shkaktojnë anulime fluturimesh në disa shtete
Aeroporti ndërkombëtar i Mynihut është detyruar të mbyllet mbrëmjen e së enjtes, (2 tetor 2025) pasi disa dronë të paidentifikuar u panë duke fluturuar pranë hapësirës së tij ajrore, duke shkaktuar anulimin e dhjetëra fluturimeve dhe devijimin e shumë të tjerave drejt qyteteve fqinje.
Sipas autoriteteve gjermane, të paktën 17 fluturime janë anuluar, duke ndikuar në afro 3,000 pasagjerë, ndërsa hetimet janë në vijim për të zbuluar origjinën e dronëve. Incidenti ndodhi rreth orës 21:30 sipas orës lokale, dhe u përsërit një orë më vonë, duke detyruar policinë federale të vendoste perimetrin e sigurisë në zonën ajrore të aeroportit.
Zëdhënësi i Policisë Federale, Stefan Bayer, konfirmoi për median gjermane Bild se për shkak të errësirës, nuk ishte e mundur të përcaktohej lloji, madhësia apo origjina e dronëve, ndërsa operacionet ajrore u pezulluan për arsye sigurie.
Ky nuk është incidenti i vetëm i këtij lloji në Europë gjatë kësaj jave. Dronë të paidentifikuar janë raportuar edhe pranë aeroporteve të Kopenhagenit dhe Oslos, duke shkaktuar mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore.
Ngjarjet e përsëritura kanë ngritur shqetësime serioze në nivel kontinental, duke detyruar udhëheqësit europianë të zhvillojnë një samit emergjent në Kopenhagen, për të analizuar masat e sigurisë dhe mundësitë e ndërhyrjes ndaj kërcënimeve të tilla.
Ndërkohë, autoritetet daneze kanë deklaruar se nuk ka prova që Rusia të jetë përfshirë, edhe pse disa incidente të fundit përfshirë kalimin e 20 dronëve rusë mbi Poloni dhe hyrjen e avionëve MiG-31 në hapësirën ajrore të Estonisë kanë shtuar tensionet në rajon.
Rusia ka mohuar çdo lidhje me këto incidente, ndërsa vendet e Bashkimit Europian po rishikojnë protokollet e sigurisë ajrore për të shmangur rreziqe të ngjashme në të ardhmen.