VIDEO-Nga Medelini ne Tiranë për prostitucion/ Momentet kur goditet grupi kriminal në Kolumbi
Autoritetet kolumbiane kanë shënuar një sukses të madh kundër trafikut ndërkombëtar të qenieve njerëzore. Në një operacion të gjerë, policia arrestoi në apartamentin nr. 213 të një kompleksi rezidencial në Medellín, alias Lukas, i identifikuar si kreu i bandës kriminale Raphax, një strukturë me origjinë nga Ballkani. Ky grup dyshohet se rekrutonte gra përmes rrjeteve sociale, për t’i shfrytëzuar më pas seksualisht në disa vende të Europës.
Së bashku me të, në Medellín u kapën edhe tetë persona të tjerë, ndërsa në Pereira ranë në pranga dy të dyshuar dhe në Cali një tjetër, duke ekspozuar kështu një rrjet të gjerë që synonte të kapte sa më shumë viktima.
‘Në tre qytete të vendit u arrit të lokalizohen 12 kriminelë që përmes mashtrimeve dhe instrumentalizimit të grave i dërgonin drejt destinacioneve të tjera, në një operacion transnacional’, deklaroi gjenerali Carlos Fernando Triana, Drejtor i Policisë Kombëtare të Kolumbisë.
Hetimet kanë identifikuar të paktën 60 gra, kryesisht nga Medellín, që dyshohet se kanë qenë viktima të këtij rrjeti, duke përfunduar në shfrytëzim seksual në Shqipëri, Mal të Zi, Maltë, Kroaci dhe Kosovë. Sipas autoriteteve, ato rekrutoheshin përmes Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ku u premtoheshin oferta tërheqëse pune. Lidhjet kryesore me këto viktima i bënte pikërisht alias Lukas.
Por sapo mbërrinin në Europë, nisnin makthet. Autoritetet shpjeguan se viktimave u vendosej një borxh fillestar prej 5.000 eurosh, kinse për shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit. Ato detyroheshin ta ‘shlyenin’ me punë, por çdo të ardhur e merrnin shfrytëzuesit.
‘Ky borxh bëhej i papaguar, pasi trafikantët jo vetëm që ua merrnin fitimet, por edhe vendosnin gjoba të vazhdueshme, duke i mbajtur kështu nën kontroll’, sqaruan hetuesit. Shuma rritej si një ‘takstimetër’ dhe viktimat futeshin në një spirale pa dalje.
Në bashkëpunim me Europol, përveç 13 të arrestuarve në Kolumbi, u kapën edhe 7 persona në Shqipëri, të cilët dyshohet se ishin kontaktet e rrjetit në Europë, përgjegjës për të ushtruar presione ekonomike dhe psikologjike ndaj grave të trafikuara.
Ky operacion i gjerë ndërkombëtar ka goditur një prej strukturave më të fuqishme të trafikut të grave mes Amerikës Latine dhe Ballkanit, duke shpëtuar dhjetëra viktima të mundshme nga shfrytëzimi seksual.