SYRI TV/ Gjykata e Lartë rrëzon Veliajn, mbrojtja çon Presidentin Begaj në Kushtetuese
Erion Veliaj i është drejtuar për herë të dytë Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që dekreti i Bajram Begajt për caktimin e datës së zgjedhjeve të shpallet antikushtetues. Në ankimin e saj, mbrojtja e Veliajt argumenton se mandati i Kryetarit të Bashkisë nuk është personal, por një shprehje e sovranitetit të qytetarëve të Tiranës.
Vendimi i avokatëve të Veliajt erdhi pak kohë pasi, në të njëjtën ditë, iu rrëzua rekursi në Gjykatën e Lartë, ku kërkonte të lirohej nga qelia.
Sipas kërkesës së dytë të depozituar në Gjykatën Kushtetuese, mbrojtja e Veliajt kërkon shpalljen si antikushtetues të dekretit të Presidentit Begaj, i cili caktoi datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale. Avokatët e Veliajt theksojnë se mandati i kryebashkiakut nuk është individual, por përfaqëson një votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Në dokumentin e paraqitur, mbrojtja argumenton se Presidenti Begaj ka kryer një shkelje flagrante të garancive kushtetuese dhe rendit një sërë argumentesh përmes të cilave kërkohet shfuqizimi i dekretit nga Gjykata Kushtetuese, e cila tashmë ka regjistruar edhe kërkesën e Veliajt kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.
“Kërkuesi e kundërshton dekretin si një akt të dalë në shkelje të garancive kushtetuese që ai i gëzon si i zgjedhur vendor në procedurat e shkarkimit, një ndër të cilat është garancia kushtetuese e parashikuar në paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115 të Kushtetutës, sipas të cilave, në rast se Kryetari i Bashkisë ndaj të cilit është marrë një vendim shkarkimi, e ankimon vendimin brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese, vendimi për shkarkimin pezullohet dhe Presidenti i Republikës mund të caktojë datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse vetëm në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese”.
Më tej, mbrojtja thekson se përderisa Veliaj, brenda afatit ligjor, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse shkarkimi është i ligjshëm apo jo, Presidenti nuk duhej të kishte dekretuar zgjedhjet.
“Dekreti i Presidentit që cakton datën e zgjedhjeve në një bashki ku vendimi i shkarkimit është pezulluar në bazë të nenit 115/2 të Kushtetutës, përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore, si dhe në integritetin e mandatit të një organi të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët me votë demokratike, si shprehje e ushtrimit të sovranitetit qytetar”.
Mbrojtja përmend gjithashtu edhe Opinionin nr. 959/2019, datë 14.10.2019, të Komisionit të Venecias “Mbi fushën e kompetencës së Presidentit për caktimin e datave të zgjedhjeve” në Republikën e Shqipërisë.
Kjo shtesë në ankimin e parë të Veliajt u bë vetëm pak minuta pasi Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e tij për zbutje të masës së sigurisë, duke e lënë sërish në burg. Veliaj pretendoi se nuk ka më mundësi të prishë prova, pasi SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar dosjen në gjykatë.
Togat e zeza të Gjykatës së Lartë, me relatore gjyqtaren Albana Boksi, vendosën të lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 6 qershor, duke urdhëruar që Erion Veliaj të qëndrojë në burg, ku ndodhet prej 10 shkurtit.